3,600 euro gjobë rojtarit të pyllit për prerje ilegale të drunjve

Për prerjen e një kub drunjve dënohet me 3,600 euro rojtari i pyllit Hashim Drenica, ndërsa Gjemë Shala me 1,000 euro.

Drenica e Shala akuzoheshin se me datën më 27 qershor 2019 rreth orës 19:13, në vendin për gjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja’’ në Komunën e Lipjanit se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore gjatë orarit të punës pa lejen e organeve kompetente kishte prerë dru në sasi prej 1.2 metër kub.

Ndërsa Gjemë Shala akuzohej se në datën dhe vendin e njëjtë i kishte ndihmuar të akuzuarit Hashim Drenicës për ngarkimin e druve të prerë në vend-gjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja’’.

Gjykata e Prishtinës pas pranimit të fajësisë nga të akuzuarit për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare shpalli fajtor Hashim Drenicën dhe e dënoi me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 3,200 euro me tri këste.

Ndërsa i akuzuari Gjemë Shala u dënua me 1,000 euro dënim me gjobë.

Gjykatësja e rastit Shpresa Hasaj- Hysaj, e njoftoi të akuzuarin Hashim Drenica me të drejtën në ankesë pasi që i akuzuari Gjemë Shala nuk ishte prezent kur u shpall vendimi.

Ndërsa avokati Naim Shala deklaroi se do të parashtrojë ankesë për sa i përket dënimit.

Ndërsa pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

Në seancën e datës 12 nëntor të akuzuarit kishin pranuar fajësinë për veprën e  cila u vihej në barrë sipas Prokurorisë.