Pluhuri, balta, ujërat e zeza e gropat në rrugën "Muharrem Fejza", banorët bllokojnë rrugën

Dhjetëra banorë të lagjes “Mati 1” kanë protestuar për shkak të kohëzgjatjes së punimeve në rregullimin e rrugës “Muharrem Fejza”, e cila, sipas tyre, po u shkakton shume telashe.

Për pak minuta protestuesit edhe e kanë bllokuar rrugën.

Protestuesit kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të intensifikojë punimet, të cilat kanë nisur rreth katër muaj më parë.

Si pasojë e punimeve, banorët po përballen me baltë, pluhur, përmbytje nga shiu, ujëra fekalë, prishje të automjeteve…

Përfaqësuesi i banorëve, Dren Shahini, tha që nëse nuk merr hapa Komuna e Prishtinës, baltën, pluhurin e ujërat e zeza do t’i derdhin te objekti i Komunës.

“Që pesë vite nuk ka qenë kryetari jonë në këtë lagje. Sot pesë vite ka qenë për herë të fundit në lagjen tonë. Nëse nuk veprojnë edhe baltën dhe pluhurin edhe ujërat fekale do ia dërgojmë Komunës”, tha Shahini.

Në emër të banorëve, ai u ankua që nuk jane  njoftuar paraprakisht për planin e punimeve, nuk janë hapur rrugët alternative dhe paraprakisht nuk janë njoftuar se kur do të përfundojnë punimet.

“Janë përmbytur shumë banesa e parkingje. Është i papërballueshëm pluhuri gjatë kësaj vape. Gjatë këtyre muajve kemi kërkuar pllaka për me qitë hapin me kalu. Njerëzit me nevoja të veçanta kanë mbetur nëpër banesa. Ky trajtim që po na bëhet neve është i padinjitetshëm”, tha Shahini.

Sipas tij, banorëve nuk u interesojnë se cilat kompani kryejnë punë e as dështimet e tyre.

“Ne nuk i njohim kompanitë por e njohim autoritetin kontraktues, Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” kanë filluar në fund të muajit prill dhe pritet të zgjasin 120 ditë pune.

Kostoja e këtyre punimeve pritet të shkojë deri në 700 mijë euro.

FOTO: KALLXO.com

 

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com