Kartum, Sudan

Zia e bukës po përshkallëzohet në katastrofë në Sudan

Një sistem botëror paralajmërimi dhe reagimi supozohej se do të frenonte katastrofën, që po ndodh në kampin në Zamzam të Sudanit, ku mungesa e ushqimit rrezikon jetën e rreth 500 mijë personave, të cilët janë detyruar nga lufta të zhvendosen prej shtëpive të tyre – ka raportuar më 05.12.2024 agjencia e lajmeve Reuters, në një shkrim të gjatë hulumtues – duke pasqyruar gjendjen në terren. Sudanin e kanë dërrmuar dekada të luftës civile.

Ky sistem i madh rrjetëzon shumë krahë të Kombeve të Bashkuara, që merren me menaxhimin e ndihmave humanitare anembanë botës. Janë shtete donatore dhe qindra ekspertë teknikë, të cilët mbledhin të dhëna të zisë së bukës dhe dërgojnë miliarda dollarë ndihma, çdo vit në shtetet që më së shumti kanë nevojë për to.

Por, në Zamzam – dhe në shumë vende të tjera të botës ku njerëzit po vuajnë për një kafshatë buke – ky rrjet sigurie ushqimi po dështon – vlerëson Reutersi në hulumtimin e tij.

Në bërthamë të Sistemit është Klasifikimi i Sigurisë së Integruar të Ushqimit (IPC). I krijuar për të ndihmuar menaxhimin e krizës së urisë në Somali më 2004, IPC-ja u zhvillua në një Kornizë Ndërkombëtare, që përdor të dhënat për të analizuar pasigurinë ushqimore. Ishte menduar për të parandaluar zinë e bukës, duke iu ofruar donatorëve dhe organizatave humanitare informacione të verifikuara, që iu duhen për të marrë vendime sesi ta çojnë më mirë dhe sigurt në vendet ku më shumti kërkohet.

Kjo Kornizë mbikëqyret prej 19 organizatave të mëdha humanitare e ndërqeveritare, të njohur si partnerë botërorë. Financuar prej qeverive perëndimore, IPC-ja monitoron pasigurinë ushqimore në më shumë se 35 shtete dhe publikon vlerësime të herëpashershme.

Dhe, për t’i nxjerrë ato raporte, IPC-ja mbështetet prej një konserciumi organizatash joqeveritare, ministrive qeveritare dhe analistëve teknikë.

Në qershor, IPC-ja bëri të ditur se më shumë se 750 mijë persona në Sudan po përballen me uri katastrofale. Në fazën e pestë të pasigurisë ushqimore – sipas IPC-së – janë më shumë se 1.9 milionë persona në mbarë botën. Kjo shifër është dyfish më e lartë se në vitin 2023.

Dhe në kampin e Zamzamit, të gjithë banorët kategorizohen në këtë kategori.

Paaftësia për të parandaluar zinë e bukës në Sudan paraqet “absolutisht dështim kolektiv” të institucioneve humanitare e politike, që supozohet se duhet t’i mbrojnë njerëzit – ka thënë Jose Lopez, drejtues i IPC-së.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com