Gazetari Ismail Berbatovci - Foto nga familja Berbatovci

Zhdukja e gazetarit kosovar pas vizitës së një baze guerilase

Ismail Berbatovci e mbylli derën e banesës së tij në qytetin e vogël të Lipjanit për herë të fundit në mëngjesin e 23 korrikut të vitit 1998.

Gruaja e tij Peme mban në mend se ai doli për ta zhvilluar një intervistë me Ramë Bujën, një udhëheqës i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në bazën lokale të forcave guerile në malet aty pranë.

Konflikti i armatosur po ziente tashmë prej disa muajsh midis guerrilasve të UÇK-së dhe trupave jugosllave dhe policisë serbe të kontrolluar nga regjimi i Presidentit Slobodan Millosheviq.

Ismail Berbatovci ishte korrespondent i gazetës së përditshme me seli në Prishtinë Rilindja dhe kryeredaktor i revistës mujore Fjala Jone; ai gjithashtu shërbeu si shef i zyrës lokale të Qendrës Informative të Kosovës, një media e ndëlidhur me partinë politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK. Në atë kohë, LDK-ja dhe UÇK-ja ishin të përfshirë në mosmarrëveshjen e tyre të ashpër rreth asaj se si ta zhvillonin luftën kundër sundimit represiv serb.

Me afrimin e mbrëmjes, Peme Berbatovci po shikonte nga dritarja, në pritje të kthimit të të shoqit.

“Nuk kishte telefona mobilë në atë kohë dhe mendova se mund të kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve të tij në Dobrajë të Madhe. Por të nesërmen në mëngjes, dy nga vëllezërit e tij erdhën në banesën tonë dhe atëherë kuptova se diçka mund të kishte ndodhur”, tha ajo.

Fqinjët e vëllezërve të tij u thanë se gazetari ishte ndaluar në bazën e UÇK-së në Blinajë, të cilën ai e kishte vizituar edhe disa ditë më parë për ta organizuar intervistën me Ramë Bujën. “Hera e parë që shkoi atje ishte më 17 korrik, së bashku me Nazim Bllacën”, tha e veja e tij. Bllaca, një figurë kontroverse që më vonë u bë dëshmitar në rastet gjyqësore të pasluftës kundër shefave të UÇK-së, është kunati i motrës së Berbatovcit.

Zyrtarët e UÇK-së i thanë Ismail Berbatovcit të kthehej më 23 korrik. Ai u kthye për intervistë dhe më pas u zhduk dhe familja e tij ende nuk e ka idenë se çfarë ka ndodhur me të. Trupi i tij nuk është gjetur asnjëherë dhe askush nuk është ndjekur penalisht për zhdukjen e tij.

“Unë dhe kunati im takuam Fitim Selimin [udhëheqës i lartë i UÇK-së], i cili ishte shok i Ismailit. Ai na tha se kishte parë disa njerëz teksa e merrnin Ismailin me një makinë të kuqe. Sipas tij, Ismaili i ka thënë atij: ‘Fitim, bëj diçka!’ Por ai asnjëherë nuk na ka thënë asgjë tjetër”, ka thënë Peme Berbatovci. “E kam pyetur nëse ka tentuar t’i bindë ata njerëz [ta lirojnë Ismailin] por nuk më është përgjigjur”.

Më pas ajo u përpoq të zbulonte se çfarë i ndodhi burrit të saj duke iu afruar figurave të tjera me ndikim të UÇK-së.

“E pyeta edhe shokun e tij, i cili po ashtu ishte pjesëtar i UÇK-së dhe vjen nga ky qytet, Heset Sahiti. Ai më tha se për dy javë derisa ishte në paraburgim [Ismail Berbatovcin] nuk e kishte prekur askush. Por ai tha se nuk ishte në dijeni se çfarë i ndodhi më pas”, tha ajo.

Sahiti tha për BIRN se e mori vesh shumë më vonë se Ismail Berbatovci ishte zhdukur. “Gjithçka që mund të them është se kam dëgjuar për këtë rast pas luftës. Më vjen keq për rastin e tij, por nuk di asgjë,” këmbëngul ai.

Njëri nga vëllezërit e gazetarit të zhdukur, Nazmi Berbatovci, ka thënë se e ka pyetur Nazim Bllacën për zhdukjen, por as Bllaca nuk i ka dhënë ndonjë informacion.

“Me Bllacën kemi lidhje familjare. E kam pyetur dy-tri herë por nuk më ka thënë asgjë”, ka thënë Nazmi Berbatovci.

Bllaca, një vrasësi vetë-rrëfyer politik, e ka pranuar përfshirjen e tij në dy vrasje politike pas luftës, përdrisa ishte pjesë e shërbimit sekret jozyrtar të Kosovës, SHIK, i cili doli nga radhët e UÇK-së. Ai ishte dëshmitar kyç në dy gjykime të profilit të lartë – të njohura si Bllaca 1 dhe Bllaca 2 – në të cilat të afërmit e afërt të ish-komandantit të UÇK-së Azem Sylës u dënuan për vrasjen e një shqiptari të Kosovës që konsiderohej si bashkëpunëtor i Serbisë dhe disa tentativa për vrasje.

‘Ai asnjëherë nuk ishte një tradhtar’

Zhdukja e Ismail Berbatovcit u përmend një herë gjatë një gjyqi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, gjatë procesit kundër Fatmir Limajt, një komandant i UÇK-së gjatë kohës së luftës, i cili përfundimisht u lirua nga pafajësia në vitin 2005.

Fitim Selimi, i cili tani është kirurg torakal dhe në atë kohë ushtronte profesionin e mjekut si dhe punonte si aktivist për të drejtat e njeriut, dëshmoi në gjyqin e Limajt dhe u pyet për periudhën kur ai drejtonte një klinikë të improvizuar për UÇK-në në Shalë, afër Blinajës, gjatë luftës.

Selimi është pyetur edhe për rastin e Ismail Berbatovcit. Prokurori i Tribunalit të Hagës e pyeti nëse i kujtohej që i kishte dërguar një mesazh familjes së Berbatovcit më 24 korrik 1998, “duke thënë se ai po mbahej nga UÇK-ja për t’u marrë në pyetje, por ai do të lirohej së shpejti”. Përgjgjia e Fitim Selimit ishte: “Kurrë, kurrë”.

I pyetur sërish nga BIRN lidhur me rastin në fjalë, Fitimi nuk pranoi të komentonte, përveçse përsëriti se nuk kishte folur me familjen e Berbatovcit: “Vetëm pas luftës kam dëgjuar për zhdukjen e tij”, këmbënguli ai.

Ish-udhëheqësi i UÇK-së Ramë Buja tha se intervista që Ismail Berbatovci kishte planifikuar ta bënte me të në Blinajë nuk ka ndodhur asnjëherë dhe se vetëm pas luftës ka dëgjuar se gazetari kishte shkuar në bazën e UÇK-së për të biseduar me të.

Ismail Berbatovci (majtas) me oficerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Rame Buja (në mes) dhe Fitim Selimi (djathtas) në vitin 1998. Fotografia është marrë nga familja Berbatovci.

“Ismaili ishte miku im. Ishte gazetar dhe patriot. Ajo që më ka rënduar është fakti që askush nuk më ka lajmëruar se ka ardhur një gazetar për të më intervistuar. Ajo që kam dëgjuar pas luftës është se gjoja policia serbe e ka sjellë pranë postblloqeve tona [UÇK-së] dhe një nga ushtarët tanë e ka marrë pasi u ka thënë se donte ta bënte një intervistë me mua,” shpjegoi Buja.

“Nuk e di se çfarë ka ndodhur me të. Pas luftës, gruaja ime më tha se gruaja e tij kishte kontaktuar me të dhe kishte kërkuar ndihmë për të mësuar për fatin e Ismailit, sepse ai ishte larguar nga shtëpia e tij për një intervistë me mua. Unë u trondita sepse mendova se si diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur atij, “shtoi ai.

Ramë Buja shprehet se ndihet keq që familja e Berbatovcit ka vuajtur që nga zhdukja e tij. “Dikush mund t’i ketë quajtur ata tradhtarë, por ai kurrë nuk ka qenë i tillë,” tha ai.

Shqiptarët e Kosovës, të afërmit e të cilëve u vranë ose u ndaluan nga UÇK-ja, shpesh konsideroheshin si bashkëpunëtorë ose tradhtarë të serbëve nga bashkëkombësit e tyre shqiptarë të Kosovës.

Peme Berbatovci sjell në kujesë faktin se para zhdukjes së Ismailit, bashkëshorti i saj shpeshherë ndalohej nga policia serbe derisa ai punonte si gazetar. “Ai u rrah, por nuk u frikësua asnjëherë,” tha ajo.

“Ai ishte i apasionuar pas punës së tij. Prandaj dy fëmijëve tanë i vuri emrin e gazetës që punonte – Rilindja për vajzën tonë dhe Rilind për djalin tonë”.

Behar Zogiani, një nga kolegët e Ismail Berbatovcit në Rilindje, tha se ata njiheshin me njëri-tjetrin për më shumë se 15 vjet.

“Ai ishte i apasionuar pas punës dhe nuk ishte aktivist partiak. Ai ishte një gazetar i mirëfilltë që raportonte kryesisht nga vendlindja e tij”, tha Zogiani.

Ismail Berbatovci ishte gazetari i parë që u zhduk pa lënë gjurmë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-99, por rasti i tij nuk ka tërhequr vëmendjen e njëjtë sikurse incidentet e tjera të mëvonshme. “Për rastin e tij kanë heshtur edhe nga LDK-ja. Nuk di si ta shpjegoj këtë”, tha e veja e tij.

Së paku 15 gazetarë shqiptarë dhe serbë etnikë u vranë ose u zhdukën gjatë kohës së luftës dhe periudhës së pasluftës në Kosovë ndërmjet gushtit 1998 dhe majit 2005. Asnjë nga këto raste nuk është zgjidhur.

Jusuf Buxhovi, gazetar në pension dhe ish-zyrtar i LDK-së, tha se beson se zhdukja e Ismail Berbatovcit ishte “e motivuar politikisht” për shkak të lidhjeve të tij me partinë përmes Qendrës Informative të Kosovës, ku ai kryente disa nga punët e tij. “Të gjitha indikacionet çojnë në atë drejtim,” pohoi Buxhovi.

Gjatë konfliktit të viteve 1998-99, pati një rivalitet serioz ndërmjet LDK-së dhe UÇK-së – një mosmarrëveshje që shkaktoi dhunë, me një seri vrasjesh që vazhduan në vitet e pasluftës.

Disa muaj pas zhdukjes së Ismail Berbatovcit, shefi i Qendrës Informative të Kosovës në Prishtinë, Enver Maloku, u qëllua për vdekje në janar të vitit 1999. Vrasja e tij nuk është zbardhur asnjëherë.

Buxhovi pretendon se zyrtarët ndërkombëtarë dhe vendas e kanë neglizhuar hetimin për zhdukjen e Ismail Berbatovcit dhe pyet nëse LDK-ja me të vërtetë dëshiron t’i shohë rastet e tilla të zgjidhen fare. LDK-ja asnjëherë nuk e ka akuzuar UÇK-në për vrasjen e Berbatovcit.

“Heshtja rreth këtij rasti është e pazakontë. Ajo ngre pyetje nëse disa liderë të LDK-së kanë qenë ndonjëherë të interesuar për ti ndriçuar vrasjet politike”, tha Buxhovi.

Peme Berbatovci, e cila tani punon si mësuese në shkollën e fshatit në Dobrajë të Madhe, tha se ka bërë gjithçka që mundi për të vërtetuar se çfarë i ka ndodhur burrit të saj. “Ka qenë një makth për ne për më shumë se dy dekada,” tha ajo.

Ajo shtoi se është intervistuar më shumë se dhjetë herë nga prokurorët ndërkombëtarë, por përkundër kësaj nuk është informuar për ndonjë zhvillim në këtë rast.