Foto: REL/Shutterstock

Telefonata e gazetarit nga Prishtina zbulon të dhëna private

Disa nga komunat e Kosovës që gjatë kohës së pandemisë kishin mbledhur emrat dhe mbiemrat e personave të infektuar me COVID-19 janë obliguar t’i shkatërrojnë ato. 

Tërë procesi është inicuar nga një telefonatë që një gazetar i kishte bërë një pacienti, i cili kishte marrë ndihma nga Komuna e Prishtinës.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka publiuar një vendim me të cilin e ka obliguar Komunën e Prishtinës t’i shkatërrojë të gjtiha aplikimet të cilat i kishte mbledhur me rastin e aplikimit për t’i marrë ndihmat për të prekurit nga COVID-19.

Ky vendim kishte ardhur pasi një qytetar aplikues i kësaj pakoje ishte telefonuar nga një gazetar në numrin e tij kontaktues që ta realizonin një intervistë lidhur me përfitimin financiar të pakos në fjalë.

Për qytetarin ishte e paqartë se ku ky gazetar e kishte marrë numrin e tij.

Në bazë të inspektimit të kryer nga zyrtarët e Agjencisë, del se numri ishte dhënë nga një zyrtar politik i komunës. 

Sipas këtij të fundit, numri i ishte dhënë gazetarit për shkak të transparencës dhe llogaridhënies me qëllim të vërtetimit se a është realizuar rimbursmi i mjeteve nga komuna.

Veprimet e Komunës së Prishtinës me rastin e shpërndarjes së numrit kontaktues të subjektit të të dhënave, Agjencia i konsideron si të kundërligjshme dhe në ndesh me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave.

Ky ligj thekson se të dhënat personale grumbullohen vetëm për qëllime të caktuara, të qarta dhe legjitime dhe nuk mund të përpunohen më tutje në kundërshtim me këto qëllime.

Por, intervista nuk ishte realizuar dhe të dhënat e ankuesit nuk ishin publikuar asnjëherë, përshkruhet në vendimin e Agjencisë.

Sipas arsyetimit të vendimit të Agjencisë, të dhënat për statusin e rezultuar ‘pozitiv’ me COVID-19, konsiderohen të dhëna për gjendjen shëndetësore që hyjnë në kategorinë e të dhënave të ndjeshme.

Agjencia, pas inspektimit të kryer ka këshilluar, obliguar dhe urdhëruar që të ndërmarrë masa për të siguruar të dhënat e subjekteve aplikuese, dhe të njejtat mos t’i përpunojë kundërligjshëm.

KALLXO.com i është drejtuar me pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me këto obligime të dala nga Agjencia, me ç’rast ka pranuar përgjigje ku theksohet se janë përmbushur të njejtat posa kanë pranuar vendimin e Agjencisë.

Drejtori i Administratës dhe njëkohësisht edhe këshilltari i kryetarit  të Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, përmes komunikimit elektronik ka pohuar se kanë pranuar vendimin, kanë vepruar duke u mbikëqyrur nga Agjencia.

“Po, ne kemi vepruar sipas vendimit të Agjencisë dhe kemi pas edhe mbikqyrje ose monitorimin e tyre. Gjatë fazës së monitorimit nuk kanë gjetë asnjë shkelje të vendimit të tyre, prandaj për ne kjo qështje është e mbyllur” – thotë z. Nushi në përgjigjen e tij.

Sipas ligjit, organet të cilat mbledhin të dhëna duhet të kujdesen që ato t’i ndajnë me palët e tjera vetëm konform autorizimeve ligjore.