Universiteti Veror i Prishtinës, Foto: KALLXO.com

12 ditë Universitet Veror i Prishtinës, kurset bëjnë bashkë profesorë e studentë nga Kosova dhe bota - VIDEO

Studentë dhe profesorë ndërkombëtarë kanë rrëfyer përshtypjet e tyre për pjesëmarrjen në Universitetin Veror të Prishtinës. Për 12 ditë ata përshkojnë Kosovën dhe aktivitetet e planifikuara nga 14 fakultete të UP-së.

Universiteti i Prishtinës tashmë e ka bërë traditë të përvitshme, t’ia kushtojë një edicion aktivitetit – Universiteti Veror i Prishtinës.

Këtë vit po mbahet edicioni i 22-të, këtë herë më ndryshe, duke mbajtur një pjesë të ligjëratave e aktiviteteve në rrugën “Xhorxh Bush” të kryeqytetit, të shndërruar tashmë në shesh.

Në kuadër të këtij edicioni po mbahen 14 kurse, që korrespodojnë me 14 fakultete të UP-së.

Secili kurs shtjellon një temë të caktuar, e cila i përgjigjet një disipline studimi.

Studentët arsyetojnë pjesëmarrjen e tyre për motive të ndryshme, por motivi kryesor është mundësia për ta përmbyllur një lëndë në universitetin e tyre, në rast se përfundojnë 80% të kursit.

Arta Basha – Jakupi, Prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim akademik në UP, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se numri i studentëve që kanë aplikuar ka qenë afër 600, ndërsa janë pranuar rreth 330 studentë.

Sipas Jakupit, për studentët ndërkombëtarë kanë pasur frikën mos ka ndikuar situata e fundit politike në Kosovë, mirëpo konsideron se kanë një përfshirje të gjerë gjeografike.

“… tradicionalisht kemi pasur nga Gjermania, Polonia, por ajo që ia vlen të theksohet në këtë edicion është se kemi pasur delegacione nga universitete si ato nga ShBA, Izraeli, Gjermania, që do të thotë vet profesorët kanë ardhur me studentët e tyre, por që vlen të theksohet edhe tjetra është se nga këto universitete partnere kanë ardhur studentët të cilët kanë qenë të financuar nga vet universitetet e tyre” – është shprehur Jakupi.

Për disa studentë nga Amerika, pjesëmarrja në këtë aktivitet ka buruar nga profesorët e tyre, të cilët kanë marrë pjesë vitin e kaluar dhe janë ndarë të kënaqur.

“Një nga profesoreshat e mia erdhi këtu verën e kaluar dhe eksperienca e saj ishte e mrekullueshme dhe ajo u kthye me përshtypje shumë të mira për Kosovën dhe kulturën e saj, dhe PISU (UVP), kështu që ajo dëshiroi që studentët amerikanë ta përjetojnë të njëjtën gjë, kështu që unë aplikova” – ka thënë Christian Johnson.

Kurse, për studentin e arkitekturës nga Gjermani Sascha Becker, ai ka vendosur të marrë pjesë pasi kjo i është mundësuar nga universiteti i tij.

Në anën tjetër, për Mohamed Abbas, student i turizmit ndërkombëtar nga Italia, kjo nuk është hera e parë që merr pjesë në Universitetin Veror të Prishtinës.

“Fillimisht, erdha këtu në vitin 2018 përgjatë studimeve Bachelor, më pëlqeu shumë dhe kisha shumë shokë këtu, kështu që vendosa ta përsërisë eksperiencën prapë dhe kur unë diplomova dhe regjistrova Masterin, erdha prapë këtu në mënyrë që t’i takojë shokët e mi, sepse kam shumë shokë këtu, dhe i dua shumë njerëzit këtu” – tha Abbas.

Ndërsa, për profesorët ndërkombëtarë, Chris Hass nga ShBA, që janë duke mbajtur ligjërata përgjatë këtij edicioni, e vlerëson aktivitetin.

“Mendoj se për të gjithë ne që vijmë nga vendet tjera është mundësia për të mësuar rreth historisë, kulturës së Kosovës, për mua sistemi i edukimit i Kosovës, sepse unë jap mësim në një vend që fliten 50 gjuhë të ndryshme në shkollën e mesme, ne kemi studentë që kanë emigruar nga vende të ndryshme, kështu që na ndihmon t’i kuptojmë më mirë se si t’i plotësojmë nevojat e këtyre studentëve … në universitetin tonë madje kemi një numër të studentëve kosovarë” – ka theksuar Hass.

Dausny Cruz, mësuese e ardhshme e historisë nga ShBA, ka thënë se nuk ka shumë informacione për Ballkanin, kështu që kjo është një mundësi e mirë për të mësuar më shumë.

“Po, unë di disa pjesë sociale dhe politike (të historisë së Kosovës), por mendoj diçka që ndërlidhet me pyetjen paraprake, është mundësia për t’i dëgjuar storiet nga njerëzit këtu dhe mundësia për ta krijuar atë marrëdhënie të ngushtë nga ta” – tha ajo.

Universiteti Veror i Prishtinës ka filluar më 3 korrik dhe do të vazhdojë të mbahet deri më 14 korrik.