Liqeni i Badovcit - Foto: KALLXO.com
Dashuria për peshkimin bën bashkë shqiptarë e serbë që e ruajnë Badovcin
Liqeni i Badovcit është i shtrirë në një zonë, e cila për një kohë të gjatë është shfrytëzuar nga banorë shqiptarë e serbë.
Territoret e liqenit shtrihen në komunën e Prishtinës dhe Graçanicës ndërsa peshkimi në liqe duhet të jetë i kontrolluar.
Banorët e fshatrave të zonës janë grumbulluar në një shoqatë të peshkatarëve, e cila kujdeset për të krijuar rregullin dhe për të ndaluar peshkimin ilegal.
Ali Vitia, që ka 10 vjet që është kryetar i shoqatës “Krapi”, tregon se 24 orë bëjnë roje në liqe.
“I kemi tetë roje të peshkimit dhe shtatë anëtarë të kryesisë. Mundemi me thanë qe jemi shoqatë multietnike, kemi në shoqatë serbë, ashkali, turq e shqiptarë, pa dallim. Prej vitit 2000 kemi pasë sfida të ndryshme, sulme e kërcënime por viteve të fundit është duke u normalizu situata. Ne kemi autoritet që të konfiskojmë pajisjet ilegale edhe pa Policinë por kur ata rezistojnë ne e thërrasim Policinë. Në Liqenin e Badovcit ka pak nevojë me intervenu, peshkimi ilegal është shmangur krejt thuajse” – deklaron Vitia.
Roja Borivoje Stojanoviq tregon se si kryhet puna nga ta në liqenin e Badovcit.
“Kontrollojmë se mos vijnë për të peshkuar pa leje. E ruajmë peshkun prej peshkatarëve ilegalë që vijnë nga vende të ndryshme për të zënë peshk jashtëligjshëm, shpesh këtu po shkaktohen edhe dëme, po hedhin mbeturina e po e ndotin mjedisin. Na ndodh që të konfiskojmë pajisjet e peshkatarëve ilegalë, menjëherë njoftojmë shoqatën dhe kështu e zgjidhim rastin me anë të shoqatës dhe kolegëve. Ne kemi bashkëpunim të mirë, probleme nuk ka” – thotë ai.
Liqeni i Badovcit furnizon me ujë një pjesë të madhe të regjionit të Prishtinës. Ndotja e lumenjve nga mbeturinat dhe kanalizimet në vazhdimësi është problem për Kosovën.
Peshkatarët e zonës janë organizuar shpeshherë për të pastruar zonën dhe për të krijuar një mjedis të rehatshëm për vizitorët.
Muajt prill dhe maj llogaritet të jenë muajt kur peshku i Liqenit të Badovcit migron në lumenjtë e zonës për të kryer procesin e shumimit.
Gjatë kësaj kohe peshkatarët ilegalë nxjerrin rrjetat për të dëmtuar peshqit dhe shumimin e tyre.
Në këtë kohë rojtarët angazhohen edhe në turne gjatë natës për të parandaluar peshkimin me rrjeta, gjeneratorë e mjete shpërthyese.
Zhivorad Maksimoviq, roje, tregon se përveç ruajtjes së liqenit, ata edhe e pastrojnë atë.
“Tash së fundi ne serbët jemi përfshirë në sigurinë e gjuetisë dhe peshkimit. Ka gjithfarë lloj njerëzish kur është fjala për peshkim të jashtëligjshëm. Ne jemi këtu dhe mund të veprojmë sa i përket luftimit dhe mbrojtjes së peshkimit të jashtëligjshëm, dhe besojmë se do të bëhet mirë. Njerëzit shkojnë dhe për shembull hedhin dinamit në ujë, pastaj lundron me barkë dhe i mbledh peshqit (e ngordhur). Me këtë metodë vriten të gjithë peshqit, edhe të mëdhenjtë edhe të vegjlit, dhe ata shkojnë e i mbledhin peshqit e mëdhenj, ndërkaq të vegjlit pësojnë” – thotë Maksimoviq.
Për të mos qenë cak i rojeve të Badovcit apo ujërave tjera në Kosovë, secili peshkatar duhet të ketë edhe lejen përkatëse nga Federata e Peshkatarëve të Kosovës. Në rast se peshkatarët kapen pa lejen adekuate, për ta ka pasoja ligjore.
Kryetari i kësaj Federate, Milaim Vitia, thotë se leja vjetore për peshkim është 30 euro, kurse gjobat shkojnë shumë më lartë.
“Synimi ynë është mbrojtja e peshkut dhe ujërave. Si federatë i kemi 50 roje, me rojet e 18 shoqatave tjera ky numër shkon në 90. Roja është i obliguar të kërkojë nga peshkatarët lejen e peshkimit. Nëse nuk ka leje, personi duhet të paguajë lejen ditore që kushton 10 euro. Nëse roja ka informata apo sheh mjete të palejuara, është i detyruar me e thirrë kryetarin e shoqatës i cili na thirr neve si Federatë, ne e thirrim Policinë dhe së bashku me ta e bëjmë konfisikimin e mjeteve. Kur kapet gjenerator apo mjet shpërthyes është vepër penale” – deklaroi Vitia.
Ndonjëherë edhe me orë të tëra duhet të presin për të kapur peshk, pas kapjes peshku këto ditë po lëshohet përsëri në ujë, në këto kohë lejohet kapja e peshkut vetëm për sport por jo edhe për ta marrë me vete. Dashuria për kapjen e peshkut si hobi dhe atraktivitet sportiv ka bërë të gjitha etnitë në Kosovë bashkë.
“Në shoqatën “Krapi” i kemi rreth 150 serbë. Bashkëpunimi mes nesh është shumë i mirë, ne punojmë bashkë. Ne për herë të parë edhe Ujmanin e kemi kontrolluar vet ku mbi 150 peshkatarë serbë peshkojnë atje, ata janë të interesuar shumë për t’u pajisur me leje peshkimi” – shton Vitia.
Maksimoviq në anën tjetër thotë se me shqiptarët e tjerë roje janë së bashku në çdo terren.
“Ajo që ma ka shtyrë mua të jem pjesë e organizatës, ka qenë fakti se jam vetë peshkatar i moçëm, bashkë me këtë shokun tim. Me përfshirjen tonë në organizatë mund të kontribuojmë drejt parandalimit të vjedhjes së peshkut (peshkimit ilegal). Madje kam dëshirë ta jap një mesazh tek rinia duke ju thënë se këtu ka peshk dhe se mund të peshkojnë, por duhet të nxjerrin leje dhe të peshkojnë në mënyrë të rregullt. Pra, të jenë peshkatarë siç ka hije” – thotë Maksimoviq.
Liqeni i Badovcit është mjaft i pasur me lloje të peshqve. Krapi dhe mustaku janë ata që mbizotërojnë si llojet më të shpesha në këtë liqe.
Megjithatë sipas peshkatarëve, viteve të fundit ka rënie të numrit të peshqve, gjë që solli deri te derdhja e peshqve në ujëra për të shtuar numrin e tyre. Një rasti i tillë ndodhi në Badovc, ku së fundi shoqata “Krapi” hodhi mbi 6 mijë peshq krap në liqe.
Peshkatarët thonë se nga peshkimi si aktivitet sportiv ata marrin kënaqësi të papërshkrushme. Mes të qeshurave dhe shakave që i bëjnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa peshkojnë ata ftojnë të rinjtë e vendit është që të marrin pajisje, të cilat nuk kushtojnë shtrenjtë dhe të dalin të peshkojnë.
“Peshkimin e kemi hobi, dhe e duam shumë. Peshkimi në fakt është sport. Është shoqërim. E duam këtë sport. E duam shoqërimin” – thotë Borivoje Stojanoviq.
“Ftoj të gjithë të rinjtë që të merren me peshkim apo me ndonjë sport tjetër, jo ta çojnë kohën e tyre në kafene. Me pak para mund të blihen pajisjet dhe të fillojnë të jenë peshkatarë. Iu bëj thirrje edhe vizitorëve të lumenjve e liqeneve që mos të hedhin mbeturina por t’i marrin ato me vete” – deklaroi Ali Vitia.
“Peshkimi për mua do të thotë shumë. Unë jetoj për peshkim. Çdo ditë që unë e kaloj në ujë, për mua është gjysmë ore jetë shtesë” – rrëfen Zhivorad Maksimoviq.
Peshkimi në liqenet e Kosovës është i lejuar sipas rregullave të përcaktuara. Nëse peshkatarë ilegalë hasen në këto zona qytetarët inkurajohen t’i raportojnë ata me qëllim që të rritet kontrolli dhe ujërat të jenë më të pasura e më të pastërta.