Zëvendësministri Izet Sadiku do ta menaxhojë qendrën e karantinës

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, do të udhëheqë Qendrën e Studentëve, e cila u shndërrua në karantinë me vendim të Qeverisë.

Ministri Arben Vitia tha se pas ankesave nga qytetarët e ardhur nga Stambolli, kanë marrë vendim që ta emërojnë Sadikun si menaxher të karantinës ku qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre.

“Pas disa ankesave që i kemi marrë sot për kushtet në Qendrën e Studentëve, kemi caktuar zëvendësministrin Izet Sadikun për menaxhimin e kësaj karantine, dhe besoj se me menaxhimin nga ana e tij kushtet do të përmirësohet dhe qytetarët që janë brenda do të kenë ku t’i adresojnë problemet”, bëri të ditur ministri Vitia.

Në 24 orët e fundit nuk është konfirmuar asnjë i prekur me coronavirus në Kosovë.

Sipas komunikatës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, vetëm sot janë testuar 16 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha janë negative.

Nga data 08.02.2020 deri me 19.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 335 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet raste kanë rezultuar pozitivë.