Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Ankesat për orarin e barnatoreve në kryeqytet, komuna miraton ndryshimet në rregullore

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar disa propozime për ndryshime në rregulloren për orarin dhe kujdestarinë e barnatoreve në kryeqytet, pas ankesave të shumta nga qytetarët. Ndryshimet përfshijnë orarin e rregullt e lokacionet e barnatoreve që kujdestarojnë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku tha se rregullorja aktuale ka vënë në pah vërejtje që ka sistemi.

“Njëra nga sfidat ka qenë mungesa e një orari në nivel vendi sepse kjo ka bërë që të përfitojnë barnatore që janë në kufi me kryeqytetin. Ora 21:00 si orar në një vend që ka Qendrën Klinike Universitare e 3 qendra të mjekësisë familjare me shërbim 24 orë- e mbi 400 mijë banorë, ka qenë e pamundur që 5 barnatore kujdestare të thithin fluksin e qytetarëve që kanë pas nevojë për barna” – u shpreh Sadiku.

Sadiku theksoi se orari nga 07:00 deri 21:00 është propozuar 08:00 deri 23:00.

“Me anë të një grupi punues kemi propozuar plotësim-ndryshimin e këtij orari, pra të rritet orari deri në ora 23:00, pasi Fushë Kosova e Gracanica punojnë pa orar të kufizuar, derisa Prishtina me orar të kufizuar, kjo ka dobësuar bizneset dhe ka orientuar qytetarët në këto komuna” – shtoi Sadiku.

Derisa, pesë barnatoret kujdestare preferohet që të jenë dy në perimetrin e QKUK-së dhe tre në perimetrin e Qendrave të Mjekësisë Familjare që punojnë 24 orë.

“Ka pas njerëz që nuk kanë dikur të orientohen e gjejnë barnatoret. Fluksi i qytetarëve që marrin shërbim në barnatore prej orës 21:00 është shumë i madh, sa prej 180 barnatoreve sa ka Prishtina mbyllja e tyre e ka ngushtuar mundësinë dhe qytetarët janë ankuar se po presin me orë te hyrja” – është shprehur Izet Sadiku.

Ai tutje theksoi se është kërkuar po ashtu që numri i barnatoreve për festa dhe fundjavë të jetë 30.

Sadiku foli edhe për sfidën me të cilën mund të përballen ku barnatoret që punojnë deri në 23:00 mund të mos pranojnë të mbajnë kujdestarinë.

“Nëse nuk ka interes e bëjmë një thirrje të hapur ku konkurrojnë, e nëse nuk ec kujdestaria duhet të bëhet një grup punues që propozon barnatore statike” – u shpreh drejtori.

Prej Odës së Farmacistëve bëhet një komision i cili do e shqyrtojë orarin.

Komuna e Prishtinës nga muaji tetor ka nisur aplikimin e rregullores për kujdestaritë e barnatoreve në mënyrë që siç thonë ata që qytetarët të mund të marrin shërbime 24 orë.

Më rregulloren e re e cila u miratua në shtator në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, orari i punës për barnatoret, e hënë deri të shtunën është nga 07:00 deri 21:00. Derisa, çdo natë prej të hënës deri të Shtunën, prej orës 21:00 deri në mëngjesin e ardhshëm 07:00 punojnë 5 barnatore kujdestare.

Të dielave dhe gjatë festave në Prishtinë punojnë 10 barnatore me orar 07:00 deri të nesërmen në ora 07:00 (24 orë kujdestari).

‘Sëmundja nuk pret!’ – Qytetarët ankohen për kujdestaritë e barnatoreve në Prishtinë