Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Prishtina me spital të vetin, drejtori i Shëndetësisë tregon se ku ka mbetur procesi - VIDEO

Prishtina është qyteti i vetëm nga shtatë rajonet e Kosovës që nuk ka spital të vetin për ofrim të shërbimeve sekondare. Me ligjin për kryeqytetin të aprovuar në vitin 2018, qyteti ka të drejtë të ketë edhe spitalin e vet, në mungesë të cilit qytetarët janë drejtuar në Qendrën Klinike Universitare ku jepen kryesisht shërbime terciare.

Komuna ka nisur procesin për këtë spital nga viti 2019 ku qeveria edhe kishte ndarë buxhet për studim fizibiliteti.

Por, projekti ishte zvarritur si shkak i procesit zgjedhor e caktimit për një pronë adekuate për ndërtim të tij.

Kompania që është caktuar për këtë projekt do dal me një plan final në shkurt ose mars të këtij viti, derisa parcela për ndërtim do jetën në lagjen ‘Prishtina e re’ afër Hajvalisë.

Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku në një deklarim për KALLXO.com tha se kanë ndarë buxhet simbolik për nisje të projektit, derisa koston totale ende nuk e dijnë.

“Ne kemi mbajtur disa takime me kompaninë, premtimi i tyre është që në fund të muajit shkurt ose në mars do dorëzohet plani përfundimtar i spitalit të Prishtinës dhe më pas hyjmë në fazën e  hapjes së tenderit për ndërtim”- tha ai.

“Kemi propozuar 5-6 parcela dhe kompania ka përzgjedhur një në Prishtinën e re, pjesa e Hajvalisë, kemi ndarë buxhet simbolik edhe vitin e kaluar dhe këtë vit po ashtu 2.8 milionë për nisje të projektit e pas dorëzimit të planit, do mund të dimë sa do jetë shuma e përgjithshme se për sa vite mund të ndërtohet”- shtoi më tej Sadiku.

Ai theksoi se do jenë të interesuar edhe për forma tjera financimi, kredi ose fonde.

Sadiku potencoi se ndërtimi i këtij spitali është i domosdoshëm pasi pjesa më e madhe e shërbimeve në emergjencën e QKUK-së janë të Prishtinës.

“Vetëm në vitin 2022, emergjenca në QKUK ka pas 92 mijë vizita, prej tyre rreth 40% të Prishtinës, pra ka ngarkesë për shkak të mungesës së këtij spitali”- shtoi më tej Sadiku.

Drejtori më tej sqaroi se ky spital do ketë rreth 500 persona në staf si dhe do ketë departamente të ndryshme, por më të vogla se ato që jepen në QKUK si nivel terciar.

“Stafi do jetë rreth 500 veta, do ketë departamnete të emegjencës, kirurgjike, pediatrike, dhoma për mjekim intensiv, pra nivel sekondar”.

Sipas tij, secili plan që është bërë, i është dorëzuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Meqë nuk kemi mjekë të nivelit sekondar e terciar në kujdesin primar në Prishtinë, kemi bërë një marrëveshje me Odën e Mjekëve dhe kanë caktuar një ekip dhe plani që ka dorëzuar kompania e kanë parë edhe ata”- tha me tej Sadiku.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore kishte deklauar se para se të nisin me procedurë për ndërtim spitali do shohin përqindjen e hapësirave që nuk shfrytëzohen brenda QKUK-së.

Në gusht të vitit 2022 ishte thënë se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës pritet të fillojë gjatë vitit 2023. Kështu ishte paralajmëruar në takimin e mbajtur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama; ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe drejtori komunal i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Derisa, në maj 2023, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se për të ndërtuar një spital të Prishtinës duhet bërë një studim fizibiliteti dhe analizë e thuktë se a ka nevojë për një spital të tillë.

Por, tek në vitin 2023 ishte bërë shpalosja e dizajnit konceptual për spitalin e Prishtinës.

Në një deklarim për Kallxo.com, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ndërtimi i këtij spitali ka bazë ligjore në Ligjin për Kryeqytetin.

Çka thotë Ligji për Kryeqytetin?

Kryeqyteti ka kompetenca për ofrimin e kujdesit shëndetësor të nivelit dytësor ku themelon spitalin e përgjithshëm të Kryeqytetit, funksionimi dhe organizimi i të cilit rregullohet me legjislacionin përkatës në fuqi.

Kujdesi dytësor shëndetësor përfshinë: shërbimet spitalore, shërbimet jashtë-spitalore: diagnostike; terapeutike, rehabilituese, transportin emergjent, si dhe shërbimet e shëndetësisë publike. Organizimi dhe veprimtaria e institucioneve shëndetësore në kujdesin dytësor përcaktohet me akte nën-ligjore të nxjerra nga Ministria.

Sipas ligjit, kujdesi dytësor shëndetësor mund të organizohet edhe në nivelin komunal me kërkesën e Kuvendit përkatës komunal, dhe në pajtim me vendimin e Ministrit të Shëndetësisë.

Akutalisht, komuna e Prishtinës jep shërbime mjekësore vetëm në kujdesin parësorë ku janë të angazhuar 871 mjekë/infermierë.