Ilustrim

Epidemia e gripit, kryeqyteti mobilizon stafin mjekësor

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka mobilizuar stafin mjekësor të kujdesit parësor për menaxhim të epidemisë së gripit që tashmë është përhapur në nivel vendi.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku njoftoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur fluks më të madh të pacientëve andaj edhe kanë marrë këtë hap për angazhim më të madh.

“Kemi mbajtur takim me shefat e të gjitha njësive të kujdesit parësor shëndetësor me qëllim të angazhimit më të madh për menaxhimin më të mirë me epideminë e gripit. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një fluks më të madh të pacientëve dhe ne jemi mobilizuar që të ofrojmë shërbime sa më cilësore për qytetarët!”- njoftoi Sadiku.

Tutje, ai u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin masa mbrojtëse dhe të kërkojnë ndihmën e mjekut në rast të paraqitjes së komplikimeve të gripit të cilat, sipas tij,  lajmërohen në fund të javës së parë të sëmundjes.

Ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e shpalli situatë epidemiologjike me influencë sezonale gripin e përhapur tash e disa javë në nivel vendi.

“IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik”- thuhej në njoftim.

Komuna e Prishtinës ka të angazhuar 871 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor.

Aktualisht, në Prishtinë qytetarët shërbimet i marrin në nivelin parësor (QMF) dhe në raste më serioze drejtohen në nivelin terciar (QKUK).

Derisa, këtë vit pritet të nis edhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ku fokus do jenë shërbimet sekondare.