Zenun Elezaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zenun Elezaj tregon pse nuk dha dorëheqje pasi iu ngrit aktakuzë

Në debatin ‘Jeta në Komunë’ përballë Jeta Xharrës ishte i ftuar kryetari i Klinës, Zenun Elezaj. Elezaj u ballafaqua me zotimin e tij të dhënë gjatë fushatës elektorale se ai do të jepte dorëheqje nëse ndaj tij ngritet aktakuzë. Për herë të parë Elezaj foli për çështjen e aktakuzës për punësimin e vajzës së tij.

Zenun Elezaj në vitin 2019 ishte akuzuar nga Prokuroria e Pejës për konflikt interesi pasi kishte themeluar komisionin për punësimin e doktorëve, ku ishte punësuar edhe vajza e tij.

Në lidhje me këtë aktakuzë i pari i Klinës për herë të parë deklaroi për emisionin Jeta në Komunë se nuk i kujtohej nëse ka dhënë premtim se pas aktakuzës do të jepte dorëheqje dhe se nuk e konsideron veten fajtorë.

“Mu kujtu pasi e pashë mirëpo aktakuza e ngritur ndaj meje është e padrejtë shumë, aktakuza është ngrit për mos lajmërim të konfliktit të interesit, unë nuk e kam ditë që është dashtë me e lajmëru Agjencinë Kundër Korrupsion”, deklaroi Elezaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Zenun Elezaj ka marrë pjesë personalisht në çështjen e punësimit të vajzës së tij si mjeke në Klinë pasi personalisht ka marrë vendim me të cilin e ka formuar komisionin për përzgjedhjen e kandidatit, dhe më pas ky komision e ka përzgjedhur vajzën e kryetarit si kandidaten e suksesshme.

Të pranishëm në këtë debat janë edhe ish kandidati për kryetar Komune Sokol Bashota, si dhe asamblistët Tush Dedaj, Mendehie Duraku dhe Esat Rraci.