Miliarderi populist çek, Andrej Babis. Foto: Facebooku i tij
Babis emërohet kryeministër i Çekisë mes shqetësimeve për qëndrimet ndaj Ukrainës
Miliarderi kundërthënës, Andrej Babis, është emëruar kryeministër i ri i Çekisë, disa ditë pas propozimit të një plani për zgjidhjen e konfliktit të tij të interesit si hisedar i shumicës së aksioneve të gjigantit të agrikulturës “Agrofert”, ka raportuar të martën (09.12.2025) gazeta “The Guardian”.
Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të fillimtetorit dhe pas një përplasjeje me presidentin Peter Pavel për shkak të konfliktit të tij të mundshëm të interesit, Babis më në fund ka marrë detyrën si kryeministri i katëmrbëdhjetë çel në një ceremoni të organizuar mëngjesin e së martës.
Me pasurinë e tij personale që llogaritet se kap vlerën e rreth katër miliard dollarësh, Babis është në mesin e dhjetë çekëve më të kamur, duke rivalizuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump (i cili besohet se ka pasuri në vlerë prej pesë miliardë dollarësh), admirues i të cilit është dhe të cilit ia kishte kopjuar shumë aspekte të fushatës (përfshirë kapelat e bejsbollit dhe sloganin “Së pari Republika Çeke”).
Si 71-vjeçar është njashtu kryeministri më i moshuar në historinë politike çeke.
Kabineti i tij pritet të emërohet gjatë muajit.
Babis është aleat i Viktor Orbanit të Hungarisë në grupin “Patriotët për Europën” në Parlamentin Europian, dhe ka ndjekur një qasje të dykuptimshme lidhur me ndihmën ndaj Ukrainës në ndryshim të madh prej qeverisë së Fialas që menjëherë kishte mbajtur qëndrim të vendosur mbështetës për Kievin pas sulmit të vitit 2022 prej anës së Rusisë.
Megjithëse financiarisht kanë ndarë më pak fonde se të tjerët, çekët ishin në mesin e të parëve që dhuruan tanke dhe fluturake dhe themeluan “Nismën çeke”, duke bërë bashkë tregtarë dhe zyrtarë të mbrojtjes që të siguronin miliona fonde për artileri anembanë botës për Kievin.
Babis ka thënë se do t’i japë fund projektit të municionit, pasi sipas tij është mbivlerësuar në aspektin e çmimit dhe se dëshiron që NATO e BE-ja të merren me Ukrainën.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com