Zëdhënësi i BE-së tregon hapat e mëtutjeshëm për Kosovën, nuk tregon nëse do të largohen masat kufizuese

Bashkimi Evropian ka mirëpritur zvogëlimin e pranisë policore në komunat veriore duke thënë se ky është hap i duhur por ‘por nevojiten hapa të mëtejshëm’, si zgjedhjet e reja e formimi i Asociacionit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk ka treguar nëse BE do të fillojë me largimin e masave kufizuese ndaj Kosovës, ani pse është zvogëluar prania policore.

“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore”- ka thënë Stano për KALLXO.com.

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur edhe njëherë kërkesën për zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”- ka thënë tutje ai.

Stano nuk ka dhënë përgjigje për kritikat që BE i ka marrë për mos vendosjen e masave ndaj Serbisë por vetëm ndaj Kosovës.

Ai edhe njëherë ka kërkuar nga autoritetet kosovare formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

“Është thelbësore që Dialogu i lehtësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj të vazhdojë. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”- ka shtuar ai.

Bashkimi Evropian në qershor pati vendosur masa ndëshkuese për siç ka thënë ‘sjelljen joevropiane’ të Kosovës karshi situatës në veri.

Kosova dhe BE kanë arritur pajtueshmëri për situatën në veri, Kosova ka zvogëluar praninë policore në dhe rreth objekteve komunale në komunat veriore, mirëpo BE nuk ka hequr ende masat.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pati thënë se masa e vendosura nga BE janë impelmentuese me pasoja politike dhe financiare, duke filluar nga suspendimi i vizitave të nivelit të lartë, kontakteve, ngjarjeve,  po ashtu edhe në bashkëpunimin financiar me Kosovën, dhe po ashtu këto masa janë të përkohshme dhe mund të ndërrohen

Ditë më parë, Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka publikuar letrën të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, diplomatit britanik, James Cleverly.

Në letër është kërkuar “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”, teksa është theksuar se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Kearns i reagon Stanos rreth deklaratës se “Kosova është e paaftë për t’u sjellë në mënyrë evropiane”, ia kujton veprimet e Serbisë