Alicia Kearns, Foto: Twitter

Kearns i reagon Stanos rreth deklaratës se "Kosova është e paaftë për t'u sjellë në mënyrë evropiane", ia kujton veprimet e Serbisë

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Petar Stano, i cili ditë më parë tha se ndaj Kosovës janë marrë masa ndëshkuese pasi nuk u soll në mënyrë evropiane.

“Zëdhënësi i Josep Borrell  tregon mungesën e plotë të ekuilibrit në marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Të thuash që Kosova ka “paaftësi për t’u sjellë në mënyrë evropiane” është një keqinterpretim i madh, por më pas të mos përmendësh veprimet e Serbisë në listën e dhënë më poshtë?”- ka shkruar ajo në Twitter.

Në listën e publikuar nga ajo pëmendet blerja nga Serbia e 20 mijë dronëve kamikazë nga Irani, ndërhyrja në zgjedhjet në Kosovë, vizita e ministrit të Jashtëm serb në Moskë, kidnapimi i 3 policëve të Kosovës, refuzimi për vendosje të sanksioneve ndaj Moskës dhe Teheranit e të tjera.

Më 10 gusht, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se qasja e BE-së është e balancuar, ndaj Kosovës janë marrë masa pasi nuk u soll në mënyrë evropiane.

“Ajo që kemi bërë së fundmi, nën dritën e eskalimit, është vendosja e disa masave të caktuara ndaj Kosovës, për shkak të paaftësisë së tyre që të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe të shtensionojnë situatën dhe të ndërmarrin hapa të konsiderueshëm për shtendosje”- ka deklaruar Stano.

Ditë më parë, Kearns, ka publikuar letrën të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, diplomatit britanik, James Cleverly.

Në letër është kërkuar “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”, teksa është theksuar se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Stano: Qasja jonë është e balancuar, ndaj Kosovës u morën masa pasi nuk u soll në mënyrë evropiane