Xhafer Tahiri
Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri
Xhafer Tahiri ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri.
Sipas tij, vendimi për dorëheqje është “një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim”.
Ai deklaroi se në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdojë të angazhohet.
“Me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri. Ky vendim nuk vjen as nga lodhja, as nga zhgënjimi. Vjen nga dashnia e madhe që kam për qytetin e zemrës dhe nga respekti që kam për secilin prej jush. Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja, për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri”- ka shkruar Tahiri më 20.11.2025 në rrjetin social “Facebook”.
Ish-kryetari i Vushtrri Xhafer Tahiri kishte garuar në zgjedhjet lokale më 12.10.2025 për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, por e humbi garën.
Kandidati i PDK-së Ferit Idrizi kishte shkuar në balotazh me kandidatin e LVV-së, Sylejman Meholli. Zgjedhjet i fitoi Ferit Idrizi duke u zgjedhur për herë të dytë kryetar.
Para balotazhit, Tahiri kishte bërë një marrëveshje koalicioni me kandidatin e LVV-së, por e njëjta u tha se nuk ishte miratuar nga vetë partia e tij LDK-ja. Veprimi kishte ngjallur reagime të shumta brenda LDK-së.