Malcolm Simmons

VV e PDK shprehen të gatshme ta presin për raportim në Kuvend ish-gjyqtarin e EULEX-it

Deputetët e pozitës e opozitës e mirëpresin një raportim të ish gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, për të raportuar mbi të gjeturat e tij ndaj EULEX-it.

Ish-gjykatësi i EULEX-it, Malcolm Simmons, gjatë ditës së sotme i ka shkruar letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

letrën drejtuar Kurtit, Simmons ka theksuar se ka 3 muaj që ka kërkuar të raportojë në Kuvend për skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX.

U.d kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila, tha se secili që ka informata të faktuara është i mirëseardhur të raportoj në Kuvend.

“Secili që ka informacion në raport me administratën ndërkombëtare ose me institucionet që lidhen me mandate të ligjeve të Kosovës janë të mirëseardhur të raportojnë të shkëmbejnë informata. Gjithmonë duhet të kihet parasysh kredibiliteti i secilit informacion. Prandaj nuk shoh personalisht asgjë të keqe në informacione të faktuara”, tha Kusari Lila.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, tha se do të jenë të zëshëm që Simmons të raportoj para deputetëve të interesuar.

“Mazhoranca në Kuvendin e Kosovës i ka votat në këtë rast ta shtyjnë këtë proces, po ne do të jemi të zëshëm që kjo të ndodh sa më parë dhe zoti Simmons t’iu drejtohet deputetëve të Kuvendit atyre që janë të interesuar mbi raportin që ai ka bërë për të gjeturat gjatë proceseve gjyqësore.

Tahiri tha se edhe mandatin e kaluar kanë qenë në proces të organizimit të një konference ose vizite të Malcom Simmons, në Republikën e Kosovës, ku do të prezantonte të gjitha ato të gjetura që i ka prezantuar vazhdimisht për shkeljet në disa procese gjyqësore të cilat kanë ndodh në Republikën e Kosovës.

“Ata gjyqtar e prokuror gëzojnë imunitet dhe nuk mujn me u ndjek penalisht në atë çka e kanë bërë mirëpo qytetarët e Republikës së Kosovës, e kanë të drejtën të dinë mbi abuzimet në rast se kanë ndodh nga gjyqtarët apo prokurorët e EULEX-it, në këto procese të rëndësishme gjyqësore”, tha Tahiri.

Ai tha se ka pasur dhjetëra qytetar që kanë vuajtur dënimet nga ato procese gjyqësore që sot sipas tij po kontestohen dhe fatkeqësisht po dalin të jenë të modifikuara.

“Kjo mos të jetë fjala ime e fundit po sqarimi i zotit Simmons përball deputetëve është shumë i rëndësishëm”, përfundoi Tahiri.