Aleksandar Vuçiq

Vuçiq i reagon deklaratës së ministres malazeze për mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës

Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç tha të premten në Prishtinë, më 29.03.2024, se shteti i saj do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës kur Komiteti i Ministrave të kësaj organizate ta votojë atë iniciativë.

Kjo deklaratë e ministres Gorçeviç vjen pas votimit të kryetares së delegacionit malazias, Maja Vukiçeviq në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, më 27.03.2024.

“Votimi i disa deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisë qëndrimin e qeverisë … Mali i Zi në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës” – ka deklaruar Gorçeviç.

Kësaj deklarate të Gorçeviç i ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke thënë se Gorçeviç shkoi në Prishtinë për t’u kërkuar falje amerikanëve pasi një përfaqësues malazez votoi kundër hyrjes së Kosovës në KE në seancën e Komitetit për Çështje Politike javën e kaluar.

“Sot e pash këtë ministre nga Mali i Zi e cila ishte e dridhur e tëra, si quhej, Gorçeviç. Turp mbi të gjithë ata. Ata mendojnë se kanë të drejt dhe se është normale të mburren rreth asaj se si po na vjedhin territorin tonë” – është shprehur Vuçiq.

Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP), parti pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë” dhe “territor të pushtuar përkohësisht”.

Kurse, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq teksa po komentonte votën e Vukiçeviq kundër propozimit për anëtarësimin e Kosovës në KE, bëri të ditur se qëndrimi shtetëror i Malit të Zi do të shihet kur të vjen puna në Komitetin e ministrave.

“Votimi i vërtetë do të jetë në Komitetin ministror dhe aty do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të Malit të Zi” – tha Spajiq, më 29.03.2024.

Në anën tjetër, për zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka qenë befasi që Vukiçeviq ka votuar kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

Edhe pse prej votave varej nëse draft-opinioni i raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, do të miratohej si hap tutje për anëtarësim e vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar, Bislimi tha që vota e Vukiçeviqit nuk e përfaqëson qëndrimin zyrtar që ka Mali i Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës në mbledhjen e Komitetit për Politikë të Jashtme të Këshillit të Europës, por një deputete që përfaqëson një subjekt politik ka shprehur qëndrimin e subjektit politik”- tha Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me ministren për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç, më 29.03.2024.

Bislimi ka interpretuar se përfaqësimi në Këshillin e Europës duhet të reflektojë përbërjen politike të parlamenteve nacionale dhe rrjedhimisht deputetja Maja Vukiqeviqit përfaqëson një parti politike e cila shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Malit të Zi.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.