Foto:ZKM

Kurti beson se Franca do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovën në KiE “pa parakushte shtesë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, më 23.04.2024, me ç’rast kanë diskutuar rreth zhvillimeve për Kosovën, nga vota në Këshillin e Europës, dialogu Kosovë – Serbi, e deri te mungesa e dënimit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar që Kurti ka shprehur besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta “mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Europës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit”.

Siç thuhet në njoftim, Kurti ka treguar që Kosova meriton anëtarësimin mbi bazën e performances dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore. 

“Kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit”- shkruan në komunikatë.

Kurti, po ashtu thuhet se ka njoftuar presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po u bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që sipas tij, u reflektua edhe me numrin e ulët të pjesëmarrësve në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

Ndërsa për sulmin në Banjskë, Kurti ka potencuar se duhet dënuar ky akt terrorist i udhëhequr nga Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, “pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”.

Macron, nga ana e tij, ka theksuar përkushtimin për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Në komunikatën e publikuar në faqen e Presidencës franceze, thuhet se presidenti Macron ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Megjithatë, në komunikatë thuhet se Macron nënvizoi rëndësinë që “Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës.”

Macron foli edhe për dështimin e votimit në veri më 21.04.2024 për shkarkimin e katër presidentëve shqiptarë. Ai tha se mbetet i domosdoshëm organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve.