Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Vrasjet e grave, ministrja Haxhiu fton në takim udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Pejë. I dyshuar për këtë vrasje është bashkëshorti i saj.

Ky është rasti i dytë brenda pesë ditësh që gratë vriten në Kosovë. Për këtë shkak, Haxhiu thotë se ka ftuar sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu ka thirrur edhe mbledhjen e grupit ndërministror.

“Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene. Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë” – ka shkruar Haxhiu në rrjetin social “Facebook” më 16.04.2024

Sipas ministres, shpeshherë “dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat” nga institucionet përkatëse.

“Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas” – ka përfunduar ministrja Haxhiu.

Edmond Lajçi është i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në Pejë mëngjesin e së martës (16.04.2024).

KALLXO.com mëson se çifti janë prindër të tre fëmijëve, ndërsa deri më tash ende nuk dihet cilat ishin motivet që shtynë të dyshuarin ta kryejë aktin e vrasjes brenda banesës së tyre.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova tha se rasti u raportuar rreth orës 08:15.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugen Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”- tha ai për KALLXO.com.

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Presidentja tha se vrasja e grave duhet të ndalet me çdo kusht.

Të gjitha zhvillimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK