Vrasja në Skenderaj, detajet e Prokurorisë

Një 39-vjeçar, N. Loshi ka vdekur dhe tre persona kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një kafiteri të Muzikës Live në fshatin Runik të Skenderajt.

Siç ka mësuar KALLXO.com të plagosur kanë mbetur personat me inicialet M. R., F. J. dhe Q. J.

Personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të masakuar dhe u përdorën dy armë.

Nga prokuroria thonë se të dyshuarit janë ende të paidentifikuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni ka thënë për KALLXO.com se nuk dihet motivi që ka çuar deri në këtë akt.

Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.

“Prokurori i rastit ka dalë në terren, nga të dhënat e deri tanishme dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri ku nga të shtënat një person ka mbetur i vdekur. Personat e dyshuar janë ende të paidentifikuar dhe në kërkim. Nuk ka ende informacione se cili ka qenë motivi. Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë” – ka thënë Preteni.

Njëri nga tre personat që u plagosën dje në fshatin Runik të Skenderajt, është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica tregoi se njëri prej pacientëve është në Klinikën Intensive pasi ka pësuar amputim të gjymtyrës.

Jashanica tha se njëri prej pacientëve, i cili ka lëndime në thembër është dërguar në Ortopedi, ndërsa pacienti tjetër, me lëndime në gju pritet të dërgohet në Ortopedi.

Një person mbeti i vrarë pas mesnatës së mbrëmshme në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt pasi persona të maskuar shtien me armë zjarri.

Policia ka njoftuar se një 39 vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është goditur me armë zjarri, derisa të plagosur kanë mbetur tre persona tjerë.

Personat e maskuar kanë përdorur sipas të dhënave të Policisë dy lloje të armëve.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, njofton Policia.

“Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, bën të ditur Policia.

Skenderaj: Vrasje si në filma, maskat vrasin në kafiteri