Vrasja e gruas në Pejë, një muaj paraburgim për Edmond Lajqin

Gjykata e Pejës ka caktuar një muaj paraburgim për Edmod Lajqin, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Gjyljeta Ukella.

Vrasja ka ndodhur sot në mëngjes në Pejë.

Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë që të dyshuarit t’i caktohet masa 30 ditë paraburgim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja që është duke e trajtuar rastin, Valbona Dishaj-Haxhosaj.

Edmond Lajqi, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij Gjyljeta Ukella sot më 16.04.2024 në Pejë, në vitin 2021 kishte aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprën penale – dhunë në familje.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën ndaj tij që ishte ngritur më 05.10.2021 e që kishte përfunduar me dënim nga Gjykata e Pejës me 100 euro gjobë e me burgim prej 3 muaj.

Lajqi nuk kishte mbajtur burg për shkak se me kërkesë të tij i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 300 euro, që në total kishte paguar 400 euro.

Në aktakuzë thuhej se Lajqi më 22.09.2021 rreth orës 17:40 në shtëpinë e tij në Pejë kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj gruas së tij.

Sipas aktakuzës, Lajqi kishte 3-4 vite që ofendonte vazhdimisht me fjalë gruan e tij.

“Në atë mënyrë që ditën kritike pas një zënke verbale që kishin në mes veti, për shkak se i pandehuri ka 3-4 vite vazhdimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarën, duke i thënë se “ti je k**vë, vëllai yt po do me të nda dhe me të martu me miqasinë e tij, gjysma e Pejës janë frajerat e tu, e shumë fjalë të tjera, ku e njëjta e lajmëron rastin në polici” – thuhej në aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.

Nga Gjykata e Pejës kanë konfirmuar për KALLXO.com se ndaj Lajqit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit ishte zëvendësuar më pas me dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.