Vrasja e dyfishtë në Gradicë, mbrojtja e Xhafer Bardhit kërkon të shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia

Xhafer dhe Amir Bardhi, babë e birë, u ulën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat e vrasjes së babait dhe birit të tij 15 vjeçar në Gradicë të Drenasit.

Ky gjykim preku fundin me seancën e sotme me rastin e dhënies së fjalëve përfundimtare.

Seanca e tillë u përcoll me reagime nga familja e viktimave në momentin kur fjalën e merr i akuzuari Xhafer Bardhi.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues Agim Kuqi për shkak të këtyre reagimeve e përjashtoi nga salla njërin prej familjarëve të anës së viktimave për prishje të rendit në gjykatore.

Fillimisht fjalën e mori prokurori i rastit – Bashkim Zeqaj.

Zeqaj tha se në shqyrtim gjyqësor bindshëm është vërtetuar se Amir dhe Xhafer Bardhi kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.

Sipas prokurorit, fakti se është privuar nga jeta një fëmijë, është vënë në rrezik jeta e dikujt tjetër dhe fakti se ka ekzistuar dashja bën që kjo vepër të cilësohet si vrasje e rëndë.

Dhembja e shkaktuar të dëmtuarës e cila humbi fëmijën dhe bashkëshortin, këmbëngulësia për të vepruar, pasojat e veprës dhe fakti se dëshmitarët kanë qenë të pranishëm fizikisht kur është kryer vepra, janë rrethana të cilat Prokuroria ia propozoi gjykatës si rrethana rënduese me rastin e matjes së dënimit.

Përfundimisht, prokurori kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndërkaq Haxhi Millaku, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, kërkoi që i njëjti të shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia.

Sipas tij Xhafer Bardhi është “Njeri i paqes, i qetë”.

Përveç tezës së vrasjes nga pakujdesia, avokati Millaku propozoi si alternativë edhe vrasjen e kryer në gjendje të tronditjes së rëndë mendore.

“Unë konsideroj se ka bazë të mjaftueshme për afekt mendor për veprimet e tij”, u shpreh ai.

Kurse vetë i akuzuari tha se në momentin kritik kishte humbur kontrollën.

“[Viktima] Në atë moment ka ardhur në mënyrë tinzare dhe ka pasur sakicë apo diçka tjetër me vete, une nuk e di në atë moment më ka hup kontrolla nuk e di as vet se si e kam mbush armën”, ishin fjalët me të cilat u shpreh i njëjti.

Tutje fjalën përfundimtare e dha mbrojtja e të akuzuarit Amir Bardhi me avokatin Agron Hoti.

Avokati Hoti kërkoi nga Gjykata që Amir Bardhin ta lirojë nga akuzat pasi sipas tij nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer ndonjë veprim në drejtim të vrasjes për të cilën po akuzohet.

Ndërsa Amir Bardhi tha se akuza i është bërë padrejtësisht.

“E kundërshtoj këtë akuzë e cila mu ka bërë e pabazë me të cilën s`kam të bëjë sen me ket fare pune”, u shpreh i akuzuari para trupit gjykues.

Në këtë rast trupi gjykues është në përbërje të kryetarit Agim Kuqi dhe antarëve Medije Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Kështu ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë rast.

Gjyqtari Kuqi ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më datë 9 tetor 2023.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 5 prill 2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V. M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B. M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.