U akuzua se nuk po i anëtarëson komunat veriore, reagon Asociacioni i Komunave të Kosovës

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shpërndarë një deklaratë të ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Nenad Radosavleviq i cili thotë se të gjitha komunat në veri të Kosovës janë anëtare të AKK-së. Këtë veprim, AKK-ja e ka bërë pasi u akuzua se nuk po i anëtarëson komunat në veri të vendit.

“Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit” – thuhet në një pjesë të deklaratës së Radosavleviq të bërë më 16.09.2023, e që AKK e ka shpërndarë më 20.03.2024.

Shpërndarja e kësaj deklarate vjen një ditë pasi që kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj ka thënë se AKK po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve kemi paraqitur kërkesën tonë që të futet në rend dite shqyrtimi i anëtarësimit të komunave të veriut të vendit, por e njëjta fillimisht u refuzua me debat injorues dhe më pas me votë të partive të vjetra u pamundësua të futet si pikë e rendit të ditës” – ka shkruar Rahimaj në Facebook, më 19.03.2024.

Kryetari i Kamenicës, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje ka shtuar se kuvendet komunale të Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë miratuar kërkesën për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës më 14 shtator, e ajo e Zveçanit më 15 shtator.

Por, sipas Rahimajt, Bordi i Asociacionit nuk ka trajtuar këtë kërkesë për shtatë muaj.

Ish-kryetari i Leposaviqit, Radosavleviq kishte reaguar më 16 shtator duke deklaruar që mos punojnë dhe flasin marrëzi e duke thënë që këto komuna veçse janë anëtare të Asociaiconit të Komunave të Kosovës.