Vjosa Osmani uron Lumir Abdixhikun

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Lumir Abdixhikun, i cili është zgjedhur sot kryetar i LDK-së.

Në mesin e shumë personaliteteve vendore e ndërkombëtare që e kanë uruar kryetarin e ri të LDK-së është edhe u.d. presidentja Vjosa Osmani.

Kështu ka bërë të ditur Lumir Abdixhiku në një postim në Facebook.

Menjëherë pas zgjedhjes në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka marrë urime nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Po ashtu, Abdixhiku ka njoftuar se ka marrë urime nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha, ish-presidenti shqiptar Sali Berisha, përfaqësues të korit diplomatic e nga zyrtarë të Partive Popullore Evropiane.

Lumir Abdixhiku ka premtuar se do të punojë që LDK të kthehet në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare.

“Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje origjinale e tyre. LDK do të jetë forcë kujdestare e Republikës së Kosovës në secilën detyrë që qytetarët e drejtë e të mbarë të këtij vendi e dërgojnë. LDK do të jetë forcë konstruktive, aktive dhe e pashterrshme në përpjekjen tonë të përbashëkt për progres. Në fund, të gjithë e kemi këtë shtet”, ka shkruar ai.