Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani kërkon nga deputetët t'i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha partitë politike të votohen marrëveshjet ndërkombëtare sepse sipas saj ato janë në interesin e qytetarëve.

Kryeparlamentarja Osmani kritikoi debatin në Kuvend, duke thënë që është bërë jashtë temës.

“Ju keni plotësisht të drejtë që një numër i madh i diskutimeve dolën komplet jashtë temës, në fakt nëse i numërojmë me përqindje ishin mbi 90 për qind të tyre. Debati në këtë Kuvend, nuk e mbaj ndërmend që nuk ka dalë ndonjëherë jashtë temës”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani tha se e vetmja pengesë për të gjitha këto marrëveshje është mungesa e vullnetit politik.

“Gati dy muaj kemi tentuar që të marrim përkrahje nga grupet parlamentare edhe pse qeveria ishte shkarkuar, për shkak se Kushtetuta përderisa qëndron e heshtur, dhe nuk ja ndalon qeverisë të procedoj materiale nuk ka pasur asnjë pengesë që ato të votoheshin edhe pas 25 marsit. E vetmja pengesë ka qenë mungesa e vullnetit politik”, tha ajo.

Ajo tha se marrëveshjet me Bankën Botërore kanë afat vetëm deri në fund të qershorit, duke theksuar se nuk duhet humbur kohë.

“Ne jemi në kohë pandemie, e se gati komplet Anamorava nuk ka ujë, ne kërkojmë çdo ditë të përdoret uji për pastrim e higjienë. Nëse ne e tejkalojmë afatin me dy prej marrëveshjeve që janë me Bankën Botërore e që kemi kohë vetëm deri në fund të qershorit, cili do të jetë kredibiliteti që nesër të negociojmë marrëveshje të tjera”, tha ajo.

Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes deputetit Memli Krasniqi ka thënë se sdo ti votoj asnjë nga pikat e rendit të ditës, pasi që sipas tyre as LDK-ja sa ishte në opozitë nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Përveç kësaj janë edhe disa pika të tjera si

Shqyrtimi i Projektligjit  për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

 

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeo hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

 

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Mungesa e kuorumit pamundëson shqyrtimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare