Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia: Do t’i zgjerojmë zonat e mbrojtura të Gërmisë, Badovcit e Butovcit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, i ftuar në Debat Pernime ka thënë se do të mbrohet natyra dhe biodiversiteti në zonat e mbrojtura përreth Prishtinës.

Vitia po ashtu ka thënë se do ta mbrojë Gërminë, Badovcin e Butovcin duke shtuar se këto zona do të zgjerohen.

“Në të gjitha zonat e mbrojtura nuk do të planifikohen ndërtimet. E planet rregulluese të reja, ne do të zgjerojmë këto zona të mbrojtura, veçanërisht aty ku ka gjelbërim të lartë, florë e faunë. Është prioritet mbrojtja e natyrës. Sa i përket lagjes Sofalia aty është në fuqi plani rregullues 2016-2024, i cili cakton konditat e ndërtimit aty. Ne do të respektojmë dhe implementojmë planet ekzistuese dhe ato që pritet të votohen gjatë mandatit. Në lagjen Kolovica nuk ka plan rregullues por aty ndërtimet rregullohen me planin zhvillimor komunal. Në këto lagje do të ketë investime në hapësirat publike”, ka thënë Vitia.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.