VIDEO - Proteston Shoqata Sindikale e Postës së Kosovës, kërkon dorëheqjen e Bordit të Përkohshëm

Shoqata Sindikale e Postës së Kosovës ka protestuar në lidhje me pretendimet për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin në këtë ndërmarrje, duke kërkuar dorëheqjen e Bordit të Përkohshëm.

Liridon Mirena, kryetar i kësaj shoqate tha së kjo është protestë paralajmëruese për hapat e mëtejme sindikalë që do t’i ndërmarrin nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.

“Kërkesat e tona janë dorëheqja e bordit të drejtorëve, u.d kryeshefja ekzekutive Fakete Kadiu, u.d drejtori i resurseve njerëzore Petrit Karakashi, drejtoresha e operatives Saranda Ademi, dhe dorëheqja e komisionit për disa rinkonstruktime që janë duke u bërë këtu”, tha Mirena.

“Dorëheqjet kërkohen për shkak të keqmenaxhimit të skajshëm, abuzimit, dëmtimit të Postës dhe punëtorëve të Postës, kërcënimeve, shantazheve, paaftësisë për nxjerrjen e Postës nga kriza, përgatitjes së programit të ri te Postës sipas interesave të një grupi të paaftë dhe keqpërdorues”, u shpreh Mirena.

Ai shtoi se Bordi i Drejtorëve kanë abuzuar edhe keqpërdorime tjera, duke dëmtuar imazhin e Postës së Kosovës.

“Heshtja pas plaçkitjes së 40 mijë eurove me çast jo vetëm që u dëmtua rëndë Posta e Kosovës por edhe punëtorët janë rrezikuar me jetë, është papërgjegjësi e pafalshme e Bordit të Drejtorëve, u.d kryeshefes dhe Menaxhmentit.

“Kërkojmë nga kryeministri Kurti ta lirojë postën nga keqpërfituesit dhe servilët që ishin të tillë me të gjitha pushtetet e partitë”, shtoi ai.