Dyshimet për dhunimin e 13 vjeçares, paralajmërohet protestë për të enjten

Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist ka paralajmëruar se të enjten, më 14.03.2024 do të mbahet protestë, në lidhje me dyshimet për dhunimin e një vajze të mitur në Drenas.

Sipas një komunikate, protesta do të nisë nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në një deklaratë për media, Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist ka akuzuar Policinë për fshehje të rastit.

“Katër ditë pas manifestimit të 8 Marsit, na u bë i ditur edhe një rast i përdhunimit. Dy burra grabitën një vajzë 13 vjeçare nga Malisheva dhe e përdhunuan në një shtëpi në Drenas. Dy burra përdhunuan, e policia u bë edhe një herë bashkëfajtore duke e fshehur krimin dhe duke mos e raportuar atë për publikun. Në raportin e saj 24 orësh, Policia e kishte cilësuar rastin si “person i zhdukur” duke mos treguar për aktin e përdhunimit apo faktin që bëhej fjalë për një fëmijë”- thuhet në komunikatë.

“Një rast i përdhunimit më shumë – ndër të shumta raste që bëhen apo jo të ditura për ne. Edhe një alarm që kumton se kjo shoqëri prodhon burra të dhunshëm që nuk lënë hapësirë a kohë të sigurtë për vajzat dhe gratë. Edhe një rast tjetër i cili rrezikon të shndërrohet thjesht në numër për shtetin, një tronditje tre ditore për publikun, e në përkujtues tmerri për ne, vajzat dhe gratë e këtij vendi”- thuhet më tej në deklaratë.

Kolektivi theksojnë se siguria për vajzat dhe gratë duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare.

“Për të denoncuar dhe kundërshtuar edhe një herë sheshazi dhunën që bëhet kundrejt nesh. Dalim dhe thërrasim që siguria e vajzave dhe grave të trajtohet si urgjencë kombëtare dhe kërkojmë llogari prej çdo hallke institucionale e shoqërore për luftën që na kanë shpallur neve, vajzave dhe grave të këtij vendi. Protestojmë për ta sinjalizuar edhe një herë shtrirjen pandemike të dhunës së gjinizuar që na përdhunon, na vret, e na lë në një gjendje konstante alarmi e frike”- janë shprehur nga Kolektivi.

Një 13-vjeçare e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur në Malishevë, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga dy persona të dyshuar në Drenas, më 11.03.2024. Të dyshuarit, të moshës madhore janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë në Malishevë se fillimisht 13-vjeçarja ishte raportuar si person i zhdukur nga disa familjarë.

Viktima e cila është nga regjioni i Pejës, në Malishevë kishte shkuar te disa të afërm, e më pas ishte raportuar si e zhdukur në Polici në këtë komunë.

Me të marrë informacionin njësitet policore nisën edhe punën duke identifikuar fillimisht lokacionin e viktimës, që ishte në Drenas.

Atje më tutje Policia kishte arritur që të identifikojë dhe arrestojë edhe dy persona të moshës madhore që dyshohet se e dhunuan seksualisht të miturën.

E mitura ka pranuar edhe tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
KALLXO.com tutje mësoi se janë konfiskuar edhe telefonat e dy të dyshuarve.

13-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga dy persona në Drenas