VIDEO - Mbyllet vend-punishtja, Inspektorët gjejnë parregullsi

Inspektorati Qendror i Punës ka nisur sot (16.04.2026) një aksion të gjerë inspektimesh në terren në të gjithë Kosovën, duke fillur sot me Prishtinën, Ferizajn dhe Fushë Kosovën.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë hasur në parregullsi në një vendpunishte në Prishtinë, ku sipas tyre nuk ishin marrë masat e nevojshme të sigurisë, me ç’rast punimet janë ndalur.

Inspektori i Punës, Burhan Braha, ka deklaruar se gjatë kontrollit kanë vërejtur mungesë të masave mbrojtëse në objekt.

“Kemi hasur në një vendpunishte ku nuk kanë qenë të marra masat e sigurisë në mënyrën e duhur, përkatësisht objekti nuk ka qenë i përcjellur me skele dhe kemi hasur në hapësira ku nuk kanë qenë të mbyllura, të cilat është dashur të jenë të mbyllura, pasi që krijohet mundësia e rënies nga lartësia” – tha Braha.

Ai shtoi se pas inspektimit kanë ardhur në përfundim se punimet duhet të ndalen.

“Gjatë inspektimit jemi ardhë në përfundim se punimet duhet të ndalen”- shtoi ai.

Inspektorati Qendror i Punës pritet që gjatë kësaj periudhe të rrisë praninë në terren, me qëllim forcimin e sigurisë në punë dhe parandalimin e aksidenteve, pas shqetësimeve të ngritura nga rastet e fundit fatale.