Inspektorati i Punës në aksion në të gjithë Kosovën, fillojnë me Prishtinën, Ferizajn dhe Fushë Kosovën

Inspektorati Qendror i Punës ka nisur sot (16.04.2026)  një aksion të gjerë inspektimesh në terren në të gjithë Kosovën. 

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror, Kastriot Jashari, një veprim i tillë me shtrirje kaq të gjerë territoriale po ndërmerret për herë të parë.

“Ne po përpiqemi që të ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet rregulli i qartë në respektimin e kushteve të sigurisë së punës për qytetarët” – ka deklaruar Jashari para mediave. 

Sipas tij, gjatë ditës së sotme, aksioni do të filloj në tri rajone të vendit, si Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj. 

KALLXO.com ka publikuar pamje të inspektorëve nga tereni pas fillimit të këtyre inspektimeve. 

Këtyre inspektimeve u ka paraprirë vendimi i marrë të hënën (13.04.2026) nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, e cila ka urdhëruar ndërmarrjen e masave emergjente dhe fillimin e një aksioni të jashtëzakonshëm të inspektimeve në gjithë territorin e vendit.

Në vendim, Inspektoratit Qendror të Punës i është kërkuar hartimi i planit emergjent dhe zbatimi i inspektimeve intensive për një periudhë 15-ditore, me fokus në sektorët me rrezik të lartë, veçanërisht ndërtimtaria.

Inspektorati Qendror i Punës pritet që gjatë kësaj periudhe të rrisë praninë në terren, me qëllim forcimin e sigurisë në punë dhe parandalimin e aksidenteve, pas shqetësimeve të ngritura nga rastet e fundit fatale.

Ministria e Punës merr vendim për masa të menjëhershme dhe emergjente në Inspektoratin Qendror të Punës

Ditëve të fundit në Kosovë është shënuar një rritje e rasteve fatale në vendin e punës.

Mbrëmjen e kaluar (15.04.2026), një punëtor rreth 48-vjeç ka vdekur pasi dyshohet se është lënduar në një kompani në zonën industriale në Shtime.

Po ashtu, më 13.04.2026, është raportuar se një 59-vjeçar ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, gjatë kryerjes së punimeve.