Dalin para Gjykatës Themelore të Gjakovës katër serbët e arrestuar Branko Rakiq, Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq, Millovan Steviq të cilëve iu gjetën armë, ishin paraqitur si pelegrinë | Foto: Arton Hamiti, KALLXO.com/07.04.2025
VIDEO - Dalin para gjykatës katër serbët e arrestuar të cilëve iu gjetën armë - ishin paraqitur si pelegrinë
Në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë paraqitur katër të arrestuarit që sipas institucioneve të Kosovës ishin shfaqur fillimisht si pelegrinë në Kosovë.
Ekipi i KALLXO.com raporton nga Gjykata se aty tanimë janë paraqitur Branko Rakiq, Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Millovan Steviq.
Venera Shala është Prokurorja e rastit kurse kryetar i trupit gjykues është Samedin Cena.
Prokuroria Themelore në Gjakovë më 07.04.2025 ka kërkuar masë paraburgimi ndaj katër serbëve të cilët u arrestuan më 05.04.2025 në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë së Gjakovës, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, teksa gjatë kontrollit në veturën me të cilën po lëviznin u janë gjetur armë të ftohta.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B. R., N. V., P. K., M. S., të nacionalitetit serb, më datë 05.04.2025, në Rr. ‘Gasper Karaqi’ në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit ‘Toyota’ ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B. R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë”– thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Mes tjerash, në dosjen e Prokurorisë thuhet se këto armë, katër serbët të cilët ishin paraqitur si pelegrinë, i kanë mbajtur gjatë vizitave në Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës.
“…pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë, i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të hënën, më 07.04.2025, në seancën e procedurës paraprake, i dyshuari Nemanja Vamoviq ka thënë se automjeti në të cilin Prokuroria pretendon se u gjetën armët nuk është i tij.
“Ai automjet nuk është në pronësi timen. Nuk e kam vozitur dhe nuk e kam ditur se çfarë ka në bagazh. Gjatë kontrollit nuk kam parë që është gjetur dicka. Mjetet i kam parë rreth orës 22:00-23:00 në stacion” – tha Vamoviq.
Edhe i dyshuari tjetër, Pavle Kragoviq, tha se nuk e ka ditur në asnjë moment se në veturë gjenden “këto mjete të punës”.
“Dëshiroj të theksoj se në asnjë moment edhe gjatë kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë e as më vonë nuk i kam vërejtur e as parë këto mjete. Një sëpatë të vogël dhe një sharrë e vogël me janë prezantuar në stacionin policor” – tha ai.
Ndërsa, i dyshuari Millovan Steviq, tha se gati çdo vit në të njëjtën kohë është këtu.
“Unë jam gati çdo vjet në kohën e njejtë këtu. Nëse jam shëndosh do të jem edhe në vitin tjetër sepse vij për festë. Unë nuk e kam ditur çfarë ka në bagazh. Dhe për dallim prej të tjerëve nuk i kam parë as më vonë” – tha ai.
Në deklaratën e tij para Gjykatës i dyshuari Branko Rakiq tregoi se Policia e kishte ndalur për tejkalim të shpejtësisë.
“Policia më ndaloi sepse e kisha tejkaluar shpejtësinë. Kur më kanë pyetur nëse kam diçka ilegale në veturë, kam thënë: jo. Mund të kontrolloni sepse nuk e kam ditur që ato mjete pune janë ilegale” – tha Rakiq.




Këshilli i Sigurisë së Kosovës më 06.04.2025 ka diskutuar lidhur me arrestimin e katër serbeve, që sipas Qeverisë së Kosovës, njëri prej tyre është toger i Policisë së Serbisë dhe njeri, kapiten i Ushtrisë së Serbisë.
“Më 1 prill [2025] pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”- u theksua në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurse, më 06.04.2025, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se me anë të një operacioni të përbashkët të organeve të sigurisë, më 5 dhe 6.04.2025, janë ndaluar 16 persona, në katër automjete me targa të Kragujevcit.
Derisa, për katër prej tyre tha se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sveçla bëri të ditur se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.
“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48-orëshe”- shtoi më tej Sveçla më 06.04.2025.
Kërkohet paraburgim për ‘pelegrinët’ serbë që u arrestuan në Gjakovë
Shënim: Teksti është edituar, me ç’rast janë shtuar edhe deklaratat e të dyshuarve të dhëna në Gjykatë. Koha e editimit: 07.04.2025, ora 22:12.