Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lushtaku i kundërpërgjigjet Sveçles pasi i tha se 'nuk është burrë' për ta pranuar përfshirjen në incidentin me Hysni Mehanin
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi ministri në detyrë, Xhelal Sveçla tha të martën, më 02.06.2026, në RTV Dukagjini “se nuk është burrë (Sami Lushtaku) për ta pranuar” përfshirjen e tij në rastin e sulmit ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehanit.
Lushtaku i kundërpërgjigjet Sveçles duke thënë se “si dezertori i luftës që je, nuk mund të flasësh për burrëri”.
“Xhelal xhandari, Si dezertori i luftës që je, nuk mund të flasësh për burrëri. Ka qenë koha për secilin prej nesh për të treguar burrëri gjatë asaj periudhe. Fatkeqësisht, ti zgjodhe të ikësh! Si ministër që je, e ke keqpërdorur policinë e Kosovës dhe njësinë speciale të saj përmes urdhrave politik nga shefi yt për shtetrrethimin e Skenderajt mbrëmjen e 14 majit. Xhelal, kanë ikur ata që kanë bërë shtetrrethime në Kosovë e shpejt do të ikësh edhe ti!” – ka shkruar Lushtaku më 03.06.2026.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se incizimet e kamerave të sigurisë që lidhen me rastin e sulmit ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehanit, për çka dyshohet kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ishin fshirë fillimisht nga pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Sipas tij, më pas ato janë rikthyer nga ekspertiza forenzike dhe tashmë ndodhen në duart e Prokurorisë.
Sipas Sveçlës, pajisja DVR ku ruheshin incizimet ishte pastruar, por Forenzika ka arritur t’i rikthejë pamjet.
“Janë video të cilat në fazën fillestare janë shlyer DVR, Forenzika i ka kthyer dhe Prokuroria i ka në dorë” – deklaroi Sveçla në “Debat Plus” në RTV Dukagjini të martën më 02.06.2026.
Ai shtoi se ka parë raportin e incizimeve, ku sipas tij shihet qartë përfshirja e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndonëse ky i fundit, sipas Sveçlës, e ka mohuar një gjë të tillë gjatë deklarimit në Polici. Për mohimin e tij në këtë incident, Sveçla tha për Lushtakun se “nuk është burrë për ta pranuar“.
Sveçla pretendoi gjithashtu se ka pasur përpjekje për fshirjen e provave në bashkëpunim me pronarin e lokalit ku ndodhi incidenti.
“Mundohen me pronarin e lokalit me i fshi incizimet dhe patjetër që edhe pronari i lokalit duhet të ndiqet penalisht për dëmtim të provave” – deklaroi ai.
Sipas tij, nga incizimet rezulton se Mehani është sulmuar në tavolinë nga Lushtaku dhe persona të tjerë që ndodheshin pas tij.
Lidhur me angazhimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në këtë rast, Sveçla tha se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në veprimet e Policisë. “Nuk e shoh asgjë të jashtëzakonshme, asgjë të papritur që Policia e Kosovës të kryejë detyrat e saj sipas vlerësimeve të veta” – tha ai.
Më 14.05.2026, kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli, janë sulmuar teksa po pinin kafe në një kafene në qytet. Ata kanë akuzuar për sulmin, kryetarin e Komunës, Sami Lushtakun, dhe disa persona të rrethit të tij.
Për shkak të lëndimeve të marra në këtë sulm, Mehani e Zabeli kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa Sami Lushtaku u intervistua një ditë pas rastit në Polici.
Më 03.06.2026, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për KALLXO.com se ka iniciuar rast për veprën penale “manipulim me prova” ndaj pronarit të lokalit ku dyshohet se ka ndodhur incidenti mes kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Konfirmimi vjen një ditë pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se pamjet e kamerave të sigurisë lidhur me rastin ishin fshirë, por se ato janë rikthyer nga ekspertët e forenzikës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, tha për KALLXO.com se ndaj pronarit të lokalit tashmë është iniciuar procedurë penale.
“Mund ta konfirmojmë se ndaj pronarit të lokalit ku ka ndodhur rasti është iniciuar rast për vepër penale manipulim me prova. Është intervistuar dhe është liruar në procedurë të rregullt”– tha Preteni.