Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetura e Liburn Aliut gjuhet me ngjyrë në Leposaviq

Tentativa e dytë për të vizituar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi sot i ka rezultuar me sukses ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ditën ky i fundit sot e ka nisur me një takim në ndërtesën komunale të Leposaviqit, aty është pritur nga Hetemi, i cili ka më shumë se dhjetë ditë prej kur ka mbetur i bllokuar aty.

Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se vizitën e tij Aliu e përfundoi me përcjellje nga ana e Policisë së Kosovës, e sapo u mor vesh për këtë vizitë protestuesit serb filluan që të shtohen para objektit të komunës.

Pas përfundimit të këtij takimi, gjatë kohës sa ministri Aliu po kthehej nga komuna njëra nga veturat me të cilat ai po udhëtonte është gjuajtur me ngjyrë.

KALLXO.com merr vesh se nuk ka pasur ndonjë incident tjetër në këtë rast.

Edhe para tri ditëve Aliu kishte tentuar që të vizitonte kryetarin Hetemi, mirëpo më pas pati raportime në disa media se ai nuk është lejuar nga KFOR-i që të kryej këtë takim.

Këto raportime ishin mohuar nga ministri.

Sipas tij, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangeshin tensionet.

“Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim. Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth”- kishte shkruar ai në Facebook.

Ministri Aliu e mohon se KFOR-i nuk e lejoi të vizitojë Hetemin në Leposaviq