Vërshimet e janarit, Komuna e Skenderajt nis punimet në shtratin e lumit 'Klina'

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se kanë nisur punimet në kuadër të projektit për zgjerimin dhe pastrimin e shtratit të Lumit “Klina”.

Kjo sipas tyre është një nga projektet kapitale më të rëndësishmit sa i takon ambientit dhe problemeve me të cilat u përballëm pas vërshimeve të janarit të këtij viti.

“Kryetari i Komunës, Fadil Nura, drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Driton Mulaj, bashkë me përfaqësuesit e fshatit Arbër Geci, anëtarët e Kuvendit Besart Rrecaj e Avdullah Geci si dhe banorët vendës, kanë qenë të pranishëm në fillimin e realizimit të projektit, i cili ka nisur afër xhamisë së fshatit Llaushë, ku do të trajtohen fillimisht dy degëzimet e fshatit, për të vazhduar faza tjetër që do të përfshijë shtratin nga Klina e Mesme deri në Kuqicë”

“Qeverisja komunale i ka dhënë prioritet rregullimit të shtratit të lumit të vetëm që kemi, sikundër përgjigje e nevojshme e problemit të kamotshëm të vërshimeve, nga të cilat pësuam dëme të konsiderueshme më 19 janar të këtij viti” – thuhet në njoftimin e Komunës së udhëhequr nga Fadil Nura.

Më 4 korrik 2023, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në një intervistë për KALLXOPernime ka folur rreth vërshimeve në këtë komunë që ndodhën në muajin janar të këtij viti.

Skenderaj ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga vërshimet që kapluan disa komuna të Kosovës në janar.

Shtëpi, biznese, rrugë, ura e vetura u dëmtuan nga vërshimet.

Qeveria ende nuk ka aprovuar vlerën e dëmit të verifikuar nga Komuna e Skenderajt.

Fadil Nura thotë se po punohet që të ulet rreziku nga vërshimet e paralajmëruara