FOTO: Fadil Nura/Facebook.

Fadil Nura thotë se po punohet që të ulet rreziku nga vërshimet e paralajmëruara

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka folur në lidhje me gjasat që të ketë vërshime në Kosovë.

Ai ka njoftuar që po punohet që të ulet niveli i rrezikut nga vërshimet e paralajmëruara.

“Me ekipet e shërbimeve publike në Kuqicë po bëhet gjithçka që është në dorën tonë që të ulet niveli i rrezikut nga vërshimet e paralajmëruara, duke monitoruar në të njëjtën kohë edhe akset rrugore dhe vendbanimet tjera që paraqesin rrezik nga përmbytjet, dhe për të qenë në gjendje gatishmërie për çdo situatë nga e cila rrezikohet jeta e banorëve”- ka shkruar Nura në Facebook.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të dielën kishte njoftuar se duke filluar nga 12 qershori pritet që të ketë reshje në intervale të ndryshme duke përfshirë pjesën më të madhe të vendit.

Ndërsa është thënë se në disa zona reshjet do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore.

IHK kishte treguar se si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi, etj.

Skenderaj ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga vërshimet që kapluan disa komuna të Kosovës në janar.

Shtëpi, biznese, rrugë, ura e vetura u dëmtuan nga vërshimet.

Në disa prej fshatrave më të prekura nga vërshimet për disa ditë nuk u mbajt as mësimi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte kërkuar nga Qeveria që të krijojë një fond emergjent për komunat e prekura nga vërshimet. Bordi ka kërkuar që fondi emergjent të menaxhohet nga vetë komunat e prekura nga vërshimet.