Vërshimet e janarit në Skenderaj, kryetari Nura: FSK-ja u vonua 8 orë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka folur rreth vërshimeve në këtë komunë që ndodhën në muajin janar të këtij viti.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se reagimi i insttitucioneve qendrore ka qenë shumë i vonshëm.

“Ekipin e zhytjes, 7 pjesëtarë ose 8 të FSK-së bashkë me zv.ministrin e Pushtetit Lokal i kam pritur në ora 20:00 kur ne kishim arritur të evakuojmë 95% të banorëve të kë saj komune. Unë kam kontaktu me ministrin e Mbrojtjes, i cili kishte kërkuar të ketë një kërkesë zyrtare. Unë kam thënë se është rast emergjent dhe thash s’kemi kohë të merremi me procedura administrative. Ai tha që kështu duhet të jetë. Unë kam dërguar kërkesën rreth orës 13:00” – ka thënë Nura.

Kryetari Nura ka shtuar se ka qenë lehtësim që Skënderaj s’ka pasur viktima si në rastin e Pejës.

“Te ne ka ndodhur diçka që s’ka ndodhur asnjëherë. Ne duhet të koordinohemi që të mos ndodhin më këto lëshime, në raste të tilla intervenimet të jenë më të shpejta dhe më profesionale” – ka thënë Nura.

Ai ka thënë që FSK-ja ka reaguar më shpejt në rastin e tërmetit në Shqipëri sesa në rastin e vërshimeve në komunën e Skenderajt.

“Nuk kam marrë ndonjë përgjigje asnjëherë pse janë vonuar FSK-ja që atëherë, por në ditët në vazhdim kemi pasur bashkëpunim me ta për rastet e shpërndarjes së  nevojave të qytetarëve në këtë komunë, qytetarë të cilët kishin mbetur pa kulm mbi kokë, ishte dimër, që ishte bashkëpunim i mirë” – tha më tej Nura.

Ndërsa në përgjigjen e saj, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se meqenëse jeta e qytetarëve është e rëndësishme, pavarësisht komunës ku jetojnë, subjektit politik që udhëheq komunën, apo kryetarit, mund të garantojmë se reagimi i FSK-së ka qenë konform shkallës së përgjegjësisë.

“Planit të Reagimit Kombëtar dhe Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës 2008_03-L050, neni 17, paragrafi 17.1, ku FSK renditet si reagues i tretë, duke u cilësuar si agjencionë mbështetës në raste të tilla, dhe përjashtim nga kjo nuk bën as rasti i komunës së Skenderajt. Bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar angazhimi i FSK-së bëhet në rastet kur kapacitetet dhe resurset lokale, si dhe kapacitetet dhe resurset e tjera në nivel qendror janë të pamjaftueshme për të menaxhuar me incidentin apo katastrofën” – thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie.

Më tej në përgjigjen e kësaj Ministrie thuhet se ekipet e çështjeve civile duke u bazuar në urdhër nga Qendra Operative e Shtabit të Përgjithshëm janë angazhuar në komunat e prekura nga vërshimet dhe ka vendosur kontakte në terren me përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt në ora 15:40.

“Intervenimi në Komunën e Skenderajt: Kërkesa e parë operacionale për intervenim në Komunën e Skenderajt nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka ardhur në ora 17:29.​ Pra vetem ne ora 17:29 është vlerësuar nga ana e Komunës së Skenderajt se është i nevojshëm intervenimi i FSK” – thotë Ministria e Mbrojtjes.