Vërshimet në Skenderaj, 19 janar 2023

Kosova në vërshime

Vendbanime nëpër disa rajone të Kosovës po përballen me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut aktualisht në vend.

17:00

Pamje nga lart e vërshimeve në fshatin Kryshec të Pejës

Rajoni i Dukagjinit u përfshi gjatë së enjtes nga vërshime të cilat erdhën pas reshjeve të shiut.

Njëri nga fshatrat e Pejës që u vërshuan sot ishte Krysheci.

Idriz Berisha nga ky fshat thotë se uji ka depërtuar në secilin oborr. Ai kërkoi që institucionet të ndërhyjnë.

“E gjithë lagjja është e mbushur me ujë, rreth 50 centimetra e kemi ujin nëpër oborre. Si këtë vit s’ka ndodh me pas vërshime asnjëherë, nuk ka ardh askush as nga komuna as askush tjetër” – tha Berisha për ekipin e KALLXO.com.

“Kërkesa është që të vijnë të intervenojnë, ta hapin pjesën ku është bllokuar rruga nga uji” – tha ai.

16:57

KEDS njofton për problemet në rrjetin energjetik në vendet e vërshuara

KEDS-i ka njoftuar për kushte atmosferike të renduara edhe në rajonin e Pejës, në Mitrovicë, në Skenderaj dhe në Vushtrri

“Si pasojë e reshjeve edhe rajonet e Pejës, Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë tashmë janë vërshuar dhe, përveç dëmeve në infrastrukturë, është prekur edhe rrjeti elektroenergjetik” – thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Ekipet e KEDS-it kanë njoftuar se ndodhen në terren dhe në Pejë, Mitrovicë e Skenderaj dhe janë detyruar të bëjnë shkyçjen e disa daljeve nga furnizimi, meqë disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.
“Kjo ndodh për shkak të sigurisë së vetë banorëve dhe të punëtorëve të KEDS-it, të cilët deri më tash në disa zona kanë arritur të riparojnë dëmet e shkaktuara dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin e tërësishëm të tyre. KEDS-i është i përkushtuar që të sanojë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet nga vërshimet dhe ta kthejë gjendjen me furnizim në normalitet, për çka kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve tanë atje” – përfundon njoftimi i KEDD-it.

16:51

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës këshillon qytetarët se cilat veprime duhen të merren gjatë një përmbytje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

Në lidhje me këtë IHK ka publikuar këshillat dhe veprimet të cilat duhen të merren gjatë një përmbytje.

“Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të

vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje’ – thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

IHK ka theksuar se zonat më të prekura, janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj.

Sipas IHK, situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

16:10

FSK e gatshme të reagojë

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Armend Mehaj, ka njoftuar se pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, autoritetet zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.

“Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagoj, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave” – thuhet në njoftimin e ministrit Mehaj në rrjetin social Facebook.

Mehaj ka shkruar se FSK në secilën situatë emergjente, është e gatshme plotësisht, me të gjitha kapacitetet e saj në dispozicion, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim.

16:03

Vërshimet në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut

Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare “Mbijetesa Serbe” ka thënë se policia së bashku me zjarrfikësit kanë ndihmuar një familje që të evakuojnë nga shtëpia, pasi uji ka depërtuar Brenda shtëpisë së tyre.

“Këtu jam që nga orët e mëngjesit për t’iu ndihmuar fqinjëve në qytetin tone. Që në fillim kanë qenë zjarrfikësit ngase situata nuk ishte aq alarmante. Ata e kanë mbajtur situatën nën kontrollë, mirëpo, ndërkohë ka ndodhur që vërshimet e ujit është rritur papritmas” – ka thënë ai.

“Një person ka mbetur i ngujuar dhe ka refuzuar të dalë nga shtëpia. Më vonë Policia dhe familja e tij kanë intervenuar për ta evakuuar personin që të mos përmbytej” – deklaroi Aleksandar Arsenijeviq.

16:01

Situata me vërshime, nesër nuk mbahet mësimi në shkollat e Skenderajt

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga reshjet e shiut, nesër, e premte, nuk do të mbahet mësimi në shkollat e komunës së Skenderajt.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria e Arsimit në këtë Komunë përmes një postimi në “Facebook”.

Para disa ore, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në këtë komunë.

Nura tha se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, ka marrë vendim që të shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës.

“Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut” – tha Nura në një postim në Facebook.

15:54

Vështirësi në qarkullim në Komunën e Drenasit

Komuna e Drenasit ka njoftuar se është vështirësuar qarkullimi në disa zona pas reshjeve të dendura të shiut.

“Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët, se pas të reshurave të vazhdueshme të shiut, disa rrugë, sidomos mbi ura dhe te rrethi në dalje të qytetit, janë bërë vështirë të kalueshme, ndaj kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë zonat ku ka rrezik qarkullimi” – thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Sipas njoftimit të lëshuar në rrjetin social Facebook, thuhet se ekipet Emergjente janë në terren dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë përmes kompanisë së kontraktuar, është duke bërë debllokimin e kanalizimeve, aty ku është bllokuar.

15:46

Për t’u mbrojtur nga vërshimet, disa qytetarë janë angazhuar për të mbushur thasët me dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

15:33

Gani Shala nga Jabllanica tregon se si i janë dëmtuar shumë mjete të punës për shkak të vërshimeve

Vërshimet pas reshjeve të shihet kanë prekur edhe rajonin e Dukagjinit.

Në fshatin Jabllanicë të Pejës uji ka hyrë nëpër shtëpi ndërsa banorët kanë thënë se çdo vit ka vërshime të tilla.

“Dëmet janë të konsiderueshme, krejt çfarë kam me mjete të punës me kamionët, traktori, janë përfshi nga uji të gjitha” – ka thënë për KALLXO.com Gani Shala nga Jabllanica e Pejës.

“Uji nga ka hy edhe brenda në shtëpi. Për çdo vit te ne ka vërshime, komuna e ka rregullua njëherë po nuk ka mjaftuar. I gjithë fshati është përfshirë nga vërshimet e ujit” – tha ai.

15:21

Rrëfimi emocionues i qytetarit Muahmet Alizeka nga ‘Lagjja e Boshnjakëve’ që vërshimet ia dëmtuan shtëpinë

Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime sot gjatë ditës në disa zona të Kosovës.

Më së keqi e kanë pësuar shtëpitë të cilat kanë qenë afër lumenjve.

Në Mitrovicën e Veriut po qëndron një ekip i KALLXO.com dhe po raporton për gjendjen aktuale.

Muahmet Alizeka, banor i lagjes së “Boshnjakëve” ka thënë se uji ka ardhur me shpejtësi dhe nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë. Ai ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ka vërshime në këtë zonë.

“Kjo është shtëpia ime, qysh po shihet krejt komplet ka hy uji, nuk kemi shpëtu asgjë se u ardh uji shumë shpejtë…” – tha ai.

“Që dy vjet me radhë po ndodhin qushtu vërshime edhe askush nuk po ndërmerr masa, jemi ankuar në komunë, gjithkund po nuk ka asgjë. Ne jemi largu rreth orës 10:00. Shiu edhe me u ndal, nuk kemi ku kthehemi, as teshat e trupit s’kemi mujt me shpëtua” – deklaroi Muahmet Alizeka, banor i lagjes së “Boshnjaëve”.

14:55

Rrëfimi i qytetarit nga Lagjja e Boshnjakëve e Mitrovicës së Veriut për pasojat e vërshimeve nga shiu

Vërshime nga reshjet e shiut sot kanë përfshirë disa rajone të vendit.

Një ekip i KALLXO.com po qëndron në Mitrovicë të Veriut. Mustafë Smakiqi, banor i lagjes së “Boshnjakëve” ka thënë se po përgatisin thasë me zhavorr që të pengojnë ujin për të hyrë nëpër shtëpi.

“Për momentin kjo është gjendja, është hy uji të gjithëve nëpër shtëpia, si serbëve si neve por jemi duke i përgatitë disa thasë me zhavorr që me u mundu me ndalu që mos të hyjë uji tek të gjithë nëpër shtëpia” – ka thënë ai.

“Nuk kemi mujt asgjë me nxjerr nga shtëpitë. Qytetarët po largohen nga zjarrfikësit dhe me barka” – deklaroi Smakiqi.

14:49

Situata nga reshjet e shiut në Vushtrri 

Ekipi i KALLXO.com ka siguruar një video të vërshimeve në hyrje të Vushtrrisë.

14:12 – Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në këtë komunë.

Nura tha se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, ka marrë vendim që të shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës.

“Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut” – tha Nura në një postim në Facebook.

Më poshtë gjeni pamje nga vërshimet në fshatin Burojë të Skenderajt

Pamje nga vërshimet në Stacionin e Autobusëve në Skenderaj

13:39 – Vërshimet në Vushtrri

Vërshime nga reshjet e shiu janë hasur edhe në hyrje të Vushtrrisë.

13:25

Mitrovica në situatë të vështirë nga vërshimet

Komuna e Mitrovicës është në situatë të vështirë nga vërshimet.

Pas reshjeve të shiut, uji në lumin Ibër pjesërisht ka dal nga shtrati.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës duke thënë se situata është shumë serioze.

“Nga mesnata ka pas reshje të vazhdueshme me intensitet shumë të lartë. Përgjatë shtratit të lumit Ibër, duke përfshirë edhe pjesën tek liqeni artificial pjesërisht uji ka dalë nga shtrati dhe është rrezik që të dalë edhe më shumë. Fshati Koshtovë gjithashtu është në rrezik” – tha Tahiri.

Sipas Tahirit në fshatin Vaganicë në disa zona ka pasur probleme nga vërshimet.

Ndërkaq, lumi Lushta dhe lumi Sitnica deri tash janë të menaxhueshme. Sipas Tahirit nëse vazhdon ky intensitet janë të rrezikuar.

“Ne jemi ne teren prej orës 6 të mëngjesit bashkë me të gjitha ekipet dhe duke tentuar që ta bëjmë maksimumin duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet tona. Mirëpo vazhdon qe situata të jetë në rrezik për vërshime edhe më të mëdha nëse reshjet vazhdojnë” – u shpreh ai.

12:35

Rritet rreziku për vërshime në Deçan

Komuna e Deçanit është njëra ndër zonat e rrezikuara nga vërshimet të cilat pritet të ndodhin pas reshjeve të shiut aktulisht në vend.

Izet Zenuni drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Deçan ka thënë për KALLXO.com, se janë në terren duke e monitoruar situatën. Sipas tij situata ka kaluar pak përtej normales.

“Jemi në terren për momentin i kemi 5 ose 6 pika të rrezikut të evidentuara. Situata ka kaluar pak përtej normales jemi në pjesën ku munden mu paraqit rreziqe edhe më të mëdha pasi ne i kemi dy lumenj të mëdhenj që kalojnë përmes Deçanit” – shtoi Zenuni.

Sipas tij, në rrezik janë edhe disa pjesë të vendbanimeve.

“Duboviku, Carrabreg i Epërm, Isniqi, një pjesë e komunës së Deçanit – një pjesë e qytetit ka rreziqe” – shtoi ai. Zenuni ka treguar se në këto pjesë është rritur niveli i ujit dhe është duke u rrit ndërkaq, nuk ka pjesë të pa kaluara.

11:51 

Komunat e prekura nga vërshimet 

KALLXO.com ka kontaktuar disa nga komunat që janë në zonën e kuqe të rrezikut për vërshime Komunën e Klinës, Deçanit, Pejë, Prizren e Vushtrri

Situatë më e rënduar është në Komunën e Klinës dhe Deçanit.

Kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, ka thënë se ka rritje të lumenjve por se nuk ka rrugë të pa kalueshme.

“Ka rritje të të gjithë lumenjve në mase të madhe ato lokalet te Guri i Zi janë përfshi por edhe nëpër fshatra në pjesën e Shtarices, e në disa pjesë tjera ka rritje të nivelit. Po e monitorojmë” – tha ai.

Sipas Elezaj rritje e ujit janë të mëdha ndërkaq ende nuk ka rrugë të pa kalueshme.Edhe Izet Zenuni drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Deçan shtoi se janë në terren duke e monitoruar situatën.

Sipas tij situata ka kaluar pak përtej normales.

10:45

Reduktime të furnizimit me ujë në disa komuna pas reshjeve të shiut

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit ka ngritje të turbullirave të ujit në kanalin e Iber Lepencit.

Sipas njoftimit, Impianti i Trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije.

Prandaj, Fushë-Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja Kalabria, Obiliqi do të ketë reduktime të ujit duke filluar sot nga ora 10:00 dhe do zgjasë deri në 16:00, pastaj furnizimi me ujë do të kthehet nga ora 16:00 deri 20:00, pastaj reduktim prapë nga ora 20:00 deri 04:00 të mëngjesit.

Gjendje më të rënduar KRU, “Prishtina” ka thënë se ka Drenasi ndërsa fshatrat e Podujevës do të kenë reduktime gjatë ditës diku rreth 3 orë.

10:06

IHMK paralajmëron vërshime edhe në ditët në vijim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perendimore, veroperendimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenjë kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta.

Sipas njoftimit të IHMK-së, nëpër disa segmente të lumenjëve kryesorë janë shkaktuar edhe përmytje të lokalizuara lumore, të cilët mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Kjo situatë, pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjëve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje.

Sot mbi vendin tonë pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë.

“Nuk përjashtohet munsia të kemi vërshime në shumë vende, kryesisht në pjesën veriore, veriperëndimore dhe perëndimore të Kosovës”, njofton IHMK.