Vendimi për kthimin e kanaleve "Arena Sport", në Komisionin parlamentar kërkohet shkarkimi i bordit të KPM-së

Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal thirri sot në raportim Komisionin e Pavarur të Media lidhur me çështjen e vendimmarrjes për shfuqizimin e vendimit për pezullimin e kanaleve sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Në këtë mbledhje u bë thirrje për shkarkimin e bordit të këtij institucioni dhe duke e cilësuar vendimmarrjen e tij për rikthimin e kanaleve si “skandaloz”.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se duhet t’i jepet kohë KPM-së për të prezantuar dokumente me shkrim lidhur me kronologjinë e vendimmarrjes, bazën ligjore të vendimmarrjes, për të ditur a ka pasur media prezente, kush kanë qenë, dhe për t’i prezantuar ankesat që janë dërguar në KPM.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, ka arsyetuar vendimin e institucionit që ai drejton për të rikthyer kanalet  televizive “Arena Sport”, duke thënë se kanë marrë garanci që do të respektohen rregulloret e KPM-së.

Kërkesën për rikthim të kanaleve kompania “Artmotion” e kishte bërë më 5 shkurt, duke thënë se “vendimi i KPM-së do të ishte mirë të revokohet” dhe të lejohet rikthimi i kanaleve të “Arena Sport”.

Kjo çështje nuk kishte qenë pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar te pjesa “Të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Pjesa e mbledhjes kur u miratua kjo kërkesë ishte nën monitorimin vetëm të BIRN Kosova, pa media të tjera prezente.

4 anëtarët votuan në mënyrë unanime pro kërkesës së “Artmotion”.

Ata janë: kryetari Jeton Mehmeti dhe anëtarë Besnik Berisha, Fatih Basha dhe Fitim Veliu.

Anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, nuk kishte qenë prezente në këtë mbledhje ku ishte vendosur për rikthimin e kanaleve në fjalë.

Ajo sot ishte prezente në mbledhjen e Komisonit paralamentar, ku tha se nuk e di nëse mosprezenca e saj kishte qenë “fat” apo “fatkeqësi”.

KPM-ja në vazhdën e miratimeve në mbledhjen në fjalë kishte vendosur që t’i vazhdojë licencimin kompanisë “Artmotion”, nën kushtet deri në marrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar për çështjen e pezullimit të certifikatës së saj nga ARBK-ja.

Në këtë mbledhje ishte bërë edhe raportimi i kryeshefit ekzekutiv, aprovimi i objektivave dhe plani i veprimit për vitin 2024.

Gjithashtu ishte miratuar edhe raporti tremujor i punës së KPM-së për periudhën tetor-dhjetor 2023.

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)  një ditë para mbledhjes së KPM-së kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.