Foto ilustruese: Pixabay

Vendimi i Kushtetueses për kompensimin e rrymës në veri, ZRRE thotë se në ditët në vazhdim do të njoftojnë qytetarët për zbatimin e tij

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka vërtetuar vendimet të cilat obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRRE-së tha se në ditët në vazhdim do të zbatohet ky vendim por që janë duke shikuar mënyrat e implementimit të tij.

Fejzullahu deklaroi se vendimi është detyrues për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

“Ne e kemi marrë atë vendim nga gjykata dhe ai vendim është detyrues për ZRRE-në. Jemi duke shqyrtuar dhe do ta implementojmë, mirëpo jemi duke shikuar mënyrat. Në ditët në vazhdim ne  do e zbatojmë dhe do t`iu njoftojmë për mënyrën e zbatimit të këtyre mjeteve”- tha ai.

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka publikuar aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme lidhur me kompensimin e qytetarëve për rrymën e paguar për komunat veriore në vlerë mbi 40 milionë euro.

Ky rast ndërlidhet me padinë e ushtruar nga Avokati të Popullit përmes së cilës kërkohej që të anulohej një vendim i datës 06.02.2012 i Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”. Përmes këtij vendimi rryma e shpenzuar në komunat në veri të vendit, përkatësisht Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishte paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.

Kompensimi ishte urdhëruar që të bëhet për periudhën 06.02.2012 deri më 20.10.2017 në vlerën 40,855.480.00 euro. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 01.01.2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Më 09.12.2023 është bërë e ditur se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroserver kanë nënshkruar një kontratë komerciale.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije).Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës.

Më 21.06.2023, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

ZRRE i heq obligimin KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në veri