Foto: Pixabay

ZRRE i heq obligimin KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në veri

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar kërkesën e KOSTT-it për ndryshim/modifikim të licencës, kjo pas nisjes së faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT), ka kërkuar nga ZRRE fshirjen e nenit 5 në licencë, nen ky që obligonte KOSTT-in të mbulojë humbjet e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Ymridin Misini nga ZRRE ka paraqitur këtë kërkesë të KOSTT-it  para bordit të këtij institucioni.

“ZRRE në janar të 2024 ka pranuar nga KOSTT kërkesën për ndryshim të licencës, respektivisht për lirimin nga obligimi për mbulimin e humbjeve të energjisë në veri. Elektroserveri është licencu nga ZRRE për furnizimin me energji në katër komunat veriore. Me datë 01.01.2024 KOSTT ka njoftuar se furnizuesi Elektrosever ka filluar të dorëzoj në KOSTT sistemin për menaxhimin e tregut , nominimet fizike dhe kontaktuale për të gjithë konsumatorët. Ndërsa në anën tjetër përmes nenit 5, KOSTT është i obliguar që të mbulojë humbjet andaj KOSTT kërkon largimin e obligimit për mbulimin e humbjeve, respektivisht të fshihet neni 5 “- tha ai.

Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se me fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, përfundon obligimi i KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike.

“Ky obligim që ka qenë për KOSTT, përfundoi pasi që deri tash ka qenë barrë për të. Por duhet të theksohet se rregullatori me vendosjen e obligimit i ka lejuar edhe mjetet për të” – tha ai.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.

Zëvendeskryeministri Besnik Bislimi tha me 26 janar 2024 se mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë tashmë në veri për konsumin e energjisë elektrike gjatë muajit janar.

Më 9 dhjetor 2023 është bërë e ditur se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroserver kanë nënshkruar një kontratë komerciale.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës.

Më 21 qershor 2023, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me këtë marrëveshje synohej të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryesuesi i bordit të KOSTT-it: Qeveria pagoi afërsisht 113 milionë euro për dy vjet për rrymën e shpenzuar në veri