Vendimi i Gjykatës për dy të dyshuarit për aksidentin në garën me vetura, në të cilin vdiqën 3 persona
Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të dyshuarve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, nga i cili vdiqën tre persona.
Kurse për të dyshuarin Irfan Hoti, gjykata ka vazhduar masën e paraqitjes në stacion policor.
Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023, ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.
Gjykata e Prizrenit konfirmoi për KALLXO.com më datë 29.04.2024 se të dyshuarit Arlind Syla i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.05.2024, kurse për të dyshuarin Irfan Hoti është vazhduar masa e paraqitjes në stacionin policor deri më datë 17.05.2024.
Prokuroria e Prizrenit kishte kërkuar gjykatës më datë 15.03.2024 që të dyshuarit Irfan Hoti t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacion policor për shkak të gjendjes shëndetësore, duke thënë se kushtet në qendër të paraburgimit i kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen.
Vendimin e ka marrë gjyqtarja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.
Gjykata në njoftimin e saj ka theksuar se ka vlerësuar edhe masa tjera alternative për sigurimin e prezencës së pandehurve, mirëpo “ka ardhur në përfundim se në rastin konkret, vazhdimi i paraburgimit dhe masës së paraqitjes në stacion policor, janë të domosdoshme dhe të arsyeshme”
Tutje, gjykata ka njoftuar se ky rast është ende në fazën e procedurës paraprake, pra ende nuk është pranuar aktakuzë në gjykatë për rastin në fjalë.
Dosja e Prokurorisë: Si kishte ndodhur aksidenti?
Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit ishin marrë vesh dhe kishin organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.
Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment, i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VË Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.
Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.
Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.
“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.