Kurti në Mal të Zi i kërkon Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar

Kryeministri i Kosovës, Albi Kurti, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Kotor të Malit të Zi ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u shprehur se “linjat e gjelbra kanë kuptim pa njerëz në uniforma të tilla”

“Linjat e shpejta të jeshilta kanë kuptim pa njerëz të vegjël jeshil (little green man) prandaj pyes Serbinë që të dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe paramilitarët e tjerë që vranë zyrtarin policor Arfim Bunjaku më 24 shtator 2023”- është shprehur Kurti në panelin e pjesëmarrësve.

Ai shtoi se marrëdheniet e mira fqinjësore në rajon arrihen “me njohje de facto dhe de juro që janë të nevojshme për paqe, siguri dhe integrim të shpejt”.

Nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, sot, më 16.05.2024, në Kotor të Malit të Zi ka nisur punimet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Liderët e rajonit bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet që të diskutojnë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë muajve të kaluar janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup dhe Tiranë.

Në këto takime, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimi Europian.

Në samitin e Tiranës, mirëpritës i të cilit ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, morën pjesë edhe liderët e tjerë rajonalë: presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo.

Në këtë takim Kosova nuk kishte përfaqësues, përderisa prezent fizikisht nuk ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mos pjesëmarrja e tij u arsyetua se Kurti kishte pasur “angazhime të mëparshme”. Mirëpo ai iu kishte drejtuar pjesëmarrësve përmes një video-adresimi. Njëjtë kishte vepruar edhe kryeministri malazez.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen në Mal të Zi, Plani i Rritjes në fokus të samitit