Edi Rama ironizon në Samitin në Mal të Zi: Ballkani mund të jetë qendra e ardhshme e BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi nga liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian përkrahje në ecurinë e Planit të ri të zgjerimit dhe rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e mbajtur në Mal të Zi, më 16.05.2024.

Fjalimin, ai e nisi me shaka duke thënë se është i zhgënjyer me motin me shi në Mal të Zi.

“Më lejoni që fillimisht të shpreh zhgënjim që Mali i Zi na ofroi shiun gjerman në vend të diellit legjendar”- u shpreh Rama.

Sipas tij, nevojitet bashkëpunim më i madh në fusha të ndryshme mes vendeve të rajonit, por edhe me BE-në.

“Siç e dini për Shqipërinë nuk është e shkuara që duhet të kontrollojë të ardhmen, por e ardhmja të kaluarën”- tha ai.

Rama madje kërkoi që në Planin e Rritjes të lihen anash politikat dhe mosmarrëveshjet bilaterale.

“Në njërën anë flasim për gjëra të mëdha dhe duam të jemi të pranueshëm si shtete anëtare të BE-së, por vazhdojmë të bllokojmë veten, kjo nuk ka kuptim. Ne duhet të lëmë politikat dhe çështjet bilaterale jashtë kësaj hapësire, sepse nëse bëjmë gjithçka në stil europian. Kjo do e lehtësoj edhe atmosferën për çështje bilaterale”- u shpreh më tej Rama.

Kryeministri i Shqipërisë po ashtu kërkoi që BE-ja të garantojë edhe për kreditë që marrin këto vende.

“Në gjeneratën e ardhshme të Europës, kur shumë prej jush ndoshta do doni të largoheni nga BE, ne do mbesim besnik dhe ndoshta do jemi qendra e BE-së. Do kemi problem ndoshta vetëm se ku do jetë Brukseli ynë”, tha ai me shaka.

Në samit ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të zbatojë politika duke u bazuar në progresin dhe reformat që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në një periudhë të shënjuar nga dezinformimi dhe rritja e forcave autokratike, përkushtimi i Kosovës për vlerat demokratike shërben si dritë shprese. Teksa jemi mbledhur këtu për të diskutuar rrugën tonë drejt BE-së, progresi i Kosovës duhet të njihet dhe të merret parasysh”- ka theksuar Kurti në Kotor, më 16.05.2024.

Shefi i Qeverisë kosovare ka potencuar se ndryshimi vjen edhe nga mbështetja që BE-ja u jep vendeve që kanë bërë hapa të vërtetë në demokraci.

Nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, sot në Kotorr të Malit të Zi është mbajtur Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Gjatë muajve të kaluar janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup dhe Tiranë.

Në këto takime, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimi Europian.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen në Mal të Zi, Plani i Rritjes në fokus të samitit