Hovenier e falënderon Escobarin për përkushtimin në dialog, i uron suksese në detyrën e radhës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka uruar suksese të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në përfundim të mandatit të tij.

“Përderisa miku dhe kolegu im, Gabriel Escobar përfundon detyrën e tij si Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i uroj atij suksese në detyrën e tij të radhës” – ka shkruar Hovenier.

Ai thotë se ka qenë i nderuar të punojë me të për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhe në Dialogun e BE-së.

“Shpreh falënderimet e mia për përkushtimin e tij të palodhshëm për avancimin e vizionit tonë për një Kosovë dhe Ballkan Perëndimor të sigurt, të begatë dhe demokratik” – ka shtuar ambasadori Hovenier.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Escobar do të marrë detyrë të re në kuadër të rotacioneve në detyrë që bëhen tek zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm.

DASh e ka konfirmuar këtë për KALLXO.com më 06.05.2024.

Më 07.09.2021 Gabriel Escobar u zgjodh zv.ndihmës Sekretar i Shtetit dhe më pas u ngarkua me detyrën si i dërguar i posaçëm në zyrën për Europë dhe Euroazi si dhe si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.