Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valdete Daka tregon dy mënyra se si komunat në veri mund të shkojnë në zgjedhje

Ish-kryetarja e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka treguar dy mënyrat se si komunat mund të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Ajo tha se njëra mënyrë është që 50 për qind e votuesve të komunës përkatëse të nënshkruajnë peticion duke kërkuar shkarkimin e kryetarit të asaj komune.

E dyta mënyrë është që kryetarët të japin dorëheqje vullnetarisht.

“S’di a ka ndodhur ndonjëherë, por në Ligjin për vetëqeverisje lokale parashihet mundësia që 50% të votuesve që janë në listë votuese nëpërmjet peticionit të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit, faktikisht 50% e të gjithë votuesve. Mënyra tjetër është që ata të japin dorëheqje” – tha ajo për RTV Dukagjini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar edhe një herë se Qeveria e tij është e interesuar për zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri sa më parë.

Por, sipas tij, duhet të sigurohet së pari që ndërprerja e mandateve e kryetarëve aktualë të ketë mbështetjen ligjore dhe procedurale.

Kurti: Jemi të interesuar për zgjedhjet në veri sa më parë

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të organizojë zgjedhjet në veri ‘sa më shpejt’.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.