Kurti: Jemi të interesuar për zgjedhjet në veri sa më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar edhe njëherë se qeveria e tij është e interesuar për zgjedhjet e parakohshme në katër komunat serbe, sa më parë.

Por sipas tij, duhet të sigurohet së pari që ndërprerja e mandateve e kryetarëve aktual të ketë mbështetjen ligjore dhe procedurale.

“Duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë i sigurtë dhe i pasfidueshëm në kuptim legal e juridik. Nuk e di sa kohë merr, por si vullnet politik nga qeveria i Kosovës, jam i interesuar sa më parë e sa më shpejt” – ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të organizojë zgjedhjet në veri ‘sa më shpejtë’.

Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.

Këtë e bëri të ditur një zëdhënës në BE, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar deklaratës së fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili të hënën, gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, edhe pse nuk i komentoi deklaratat e Bislimit, përsëriti thirrjen e BE-së për shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Kosovës, si dhe bëri thirrje që serbët që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.

 

BE-ja i kërkon Kosovës që të shpallë zgjedhjet në veri “sa më shpejt”