Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrëse në Operacionin Interflex. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Ushtarët e FSK-së pjesëmarrës në operacionin "INTERFLEX", do të trajnojnë ushtarakët ukrainas

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë pjesëmarrëse në operacionin “INTERFLEX”, ku do të bëhet trajnimi dhe përgatitja e ushtarakëve ukrainas.

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u mbajt ceremonia e nisjes së kontingjentit të FSK-së, ku morën pjesë udhëheqësit e kësaj Ministrie, zyrtarë të FSK-së e po ashtu kishte mysafirë edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Operacioni në fjalë do të realizohet në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se sot po shënohet një sukses i radhës i FSK-së dhe një arritje tjetër e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai theksoi se pjesëmarrja e ekipeve të FSK-së në kuadër të operacionit “INTERFLEX” tregon për besimin që Mbretëria e Bashkuar si drejtuese e këtij aktiviteti shumëkombësh, ka në përkushtimin, integritetin dhe përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar ishte në krah të popullit dhe Republikës tonë në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe vazhdon të mbetet partneri ynë i pazëvendësueshëm, me të cilën kemi ndërtuar raporte përtej miqësore, raporte këto që kanë bazë vlerat e përbashkëta dhe besimin e ndërsjellë” – u shpreh ministri Maqedonci.

Ai, sipas një njoftimi, shtoi se Kosova është plotësisht e vendosur në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euro-atlantike dhe e përkushtuar që të japë kontributin e saj për paqe dhe stabilitet jo vetëm në regjion por edhe më gjerë.

I pari i Ministrisë më pas i uroi kontingjentit të FSK-së punë të mbarë dhe suksese në detyrën e tyre fisnike dhe përmbyllje të suksesshme të misionit.

Një fjalë rasti mbajti edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili u shpreh i lumtur që përmes bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes FSK-së dhe Ushtrisë britanike është arritur që të dërgohet ky kontingjent i ushtarakëve të FSK-së, si instruktorë në operacionin “INTERFLEX”.

“Si popull kemi kaluar shumë sfida dhe jemi ballafaquar vazhdimisht me agresorë, ne e kuptojmë më së miri rëndësinë e këtij misioni. Andaj, e kemi obligim të ndihmojmë popullin e Ukrainës në përpjekjet e tyre për liri, ashtu siç na kanë ndihmuar dhe kanë qëndruar pranë nesh aleatët tanë në kohët më të vështira” – tha Jashari.

Tutje ai shtoi se ky mision i rëndësishëm dhe misione të ngjashme ku po angazhohet FSK po tregojnë qartë që Kosova dita-ditës po shndërrohet nga konsumues i sigurisë në kontribues të paqes në botë dhe i vlerave të mirëfillta demokratike.

Të pranishmëve në ceremoni iu drejtua edhe zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Paul O’Connor, i cili u shpreh i kënaqur që Kosova ka përkrahur dhe ka demonstruar solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas që nga fillimi i luftës.

Gjithashtu, ai u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e FSK-së në këtë operacion vital në ndihmë të Ukrainës, dhe falënderoi ministrin Maqedonci, gjeneral Jasharin, pjesëtarët e kontingjentit pjesëmarrës në këtë operacion dhe të gjithë të përfshirët nga të dyja vendet, të cilët kanë mundësuar zhvillimin e këtij partneriteti.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe zëvendësministri Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i NALT, gjeneral brigade, Ralf Hammerstein, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gafurr Dugolli, gjeneralbrigade Ilir Qeriqi, gjeneralbrigade Hysen Dreshaj, si dhe zyrtarë të lartë dhe oficerë të Ministrisë dhe FSK-së, si dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrëse në Operacionin Interflex. Foto: Ministria e Mbrojtjes
Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrëse në Operacionin Interflex. Foto: Ministria e Mbrojtjes
Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrëse në Operacionin Interflex. Foto: Ministria e Mbrojtjes