Profesorët Arben Hajrullahu dhe Enver Hasani, Ilustrim: KALLXO.com
UP: Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të Enver Hasanit kundër rektorit Arben Hajrullahu
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se Prokuroria e Prishtinës e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Enver Hasanit ndaj rektorit Arben Hajrullahu, në të cilin kishte pretenduar se Hajrullahu ishte avancuar në profesor të rregullt në UP në vitin 2022 kundërligjshëm.
Sipas njoftimit të UP-së, Prokuroria ka konstatuar se pretendimet e ngritura nga paraqitësi i kallëzimit penal, Enver Hasani, nuk mbështeten në fakte.
UP thot se rektori Hajrullahu që nga marrja e detyrës ka ndërmarrë hapa të qartë drejt forcimit të ligjshmërisë, meritokracisë dhe mbrojtjes së pronës institucionale të UP-së.
“Këto përpjekje për reforma strukturore dhe rikthim të standardeve institucionale kanë prodhuar reagime dhe kundërshtime nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe individë që kanë qenë të përfshirë në praktikat e kontestuara” – thuhet në komunikatën e UP-së më 27.02.2026.
Kështu, UP konsideron se akuzat dhe denoncimet e adresuara ndaj rektorit Arben Hajrullahu shihen si pjesë e një dinamike më të gjerë që synon krijimin e paqartësive në opinionin publik dhe ushtrimin e presionit ndaj proceseve reformuese.
KALLXO.com e ka siguruar aktvendimin e Prokurorisë të datës 20.02.2026 në të cilin thuhet se “Nuk ka dyshim të arsyeshëm se i dyshuari e ka kryer veprën Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafit 1 të KPRK-së (Kodit Penal të Republikës së Kosovës)”.
Sipas këtij aktvendimi, Hasani kishte paraqitur kallëzim penal kundër Arben Hajrullahut më 13.12.2024.
Kjo nuk është përplasja e parë mes Enver Hasanit e Arben Hajrullahut.
Një vit më parë, KALLXO.com publikoi hulumtimin “Përplasja për avancimet akademike”, në të cilin janë të gjitha pretendimet e Enver Hasanit ndaj rektorit Arben Hajrullahu pasi e kishte denoncuar në Këshill të Etikës për çështjen e avancimit të tij në profesor të UP-së.
Profesori Hasani e denoncoi rektorin Hajrullahu në Këshillin e Etikës të UP-së me pretendimet se ka bërë shkelje etike dhe nuk e kishte shmangur konfliktin e interesit kur ishte avancuar nga profesor i asocuar në profesor i rregullt – sipas konkursit të 4 majit 2022, në Fakultetin Filozofik në UP.
Kurse, më 08.05.2025, KALLXO.com raportoi se Këshilli i Etikës i UP-së e ka hedhur poshtë denoncimin e Enver Hasanit ndaj Arben Hajrullahut.
Sipas vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së, më 18.04.2025, denoncimi i Hasanit ndaj Hajrullahut është i pa mbështetur në fakte.
“Nuk vërtetohet asnjë shkelje e Kodit të Etikës dhe kuadrit normativ nga ana e prof. dr. Arben Hajrullahut në lidhje me procesin e avancimit të tij në thirrjen akademike ‘Profesor i rregullt’. Procesi i avancimit është zhvilluar në përputhje me kriteret ligjore, statutare dhe Rregulloret përkatëse të Universitetit të Prishtinës.” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së.
Këshilli i Etikës i UP-së kishte hedhur poshtë po ashtu pretendimin e Hasanit se Hajrullahu ishte përfshirë në vendimmarrjen e Senatit të UP-së më 05.09.2022 kur ishte miratuar vendimi për avancimin e Hajrullahut.
“Sipas Ekstraktit të kësaj mbledhjeje (të Senatit), si dhe nga verifikimi administrativ, prof. Arben Hajrullahu nuk ka qenë pjesëmarrës në këtë mbledhje – as fizikisht, as virtualisht. Në atë kohë, ai nuk ushtronte funksionin e Rektorit dhe nuk ishte anëtar i Senatit.” – potencohet në vendimin e Këshillit të Etikës, më 18.04.2025.
Tutje, në vendimin e Këshillit të Etikës theksohet se për vlerësimin e konfliktit të interesit në këtë rast sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ka kaluar afati ligjor prej dy vjetësh që të mund të iniciohet procedurë për konflikt interesi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Po ashtu, Këshilli i Etikës i UP-së kishte shtuar se nuk figuron asnjë ankesë zyrtare nga ndonjë kundërkandidat apo palë në konkursin e datës 04.05.2022, kur kishte aplikuar Hajrullahu, që të mund të konsiderohej e dëmtuar nga procedura në fjalë.
Në denoncimin e tij në Këshill të Etikës, Enver Hasani kishte pretenduar se rektori Arben Hajrullahu në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ishte përfshirë në vazhdimësi në procesin e avancimit të tij akademik – duke marrë pjesë dhe votuar nga data 04.05.2022 deri më 21.06.2022 në Këshillin e Fakultetit Filozofik në UP.
Sipas Hasanit, Hajrullahu ka kryer gjithashtu shkelje të rënda disiplinore të përcaktuara në nenin 6 të Rregullores nr. 857 për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, duke iu referuar paragrafëve: 1.1. Shkelja e rëndë e Kodit të Etikës, 1.6. Përfitim i paligjshëm dhe i qëllimshëm pasuror nga procesi i vlerësimit të punës akademike dhe 1.16 Dështim i deklarimit ose dhënia e deklaratës së rrejshme në lidhje me konfliktin e interesit.
Hasani në denoncimin e tij kishte thënë se më 04.05.2022 ishte shpallur një konkurs në Fakultetin Filozofik të UP-së, në të cilin Hajrullahu kishte aplikuar për pozitën nr. 3.
Hajrullahu duke qenë shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit Filozofik në atë kohë, Hasani shton se Komisioni vlerësues për konkursin në fjalë ishte formuar e votuar në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit Filozofik më 19.05.2022.
“Hapi i radhës ka qenë mbledhja tjetër e Këshillit të Fakultetit Filozofik, mbajtur më 26.05.2022, ku është votuar formimi i referateve për buletin. Faza përfundimtare ka qenë mbledhja e Këshillit të Fakultetit Filozofik, mbajtur më 21.06.2022, ku është votuar për referatet që do të kalonin në Senatin e Universitetit” – kishte thënë Hasani.
Pasi Senatit të UP-së i kanë shkuar raportet e Kkomisioneve vlerësuese të këshillave të fakulteteve, sepse konkursi ka qenë i hapur edhe për fakultetet e tjera të UP-së, Hasani kishte potencuar se Hajrullahu nuk ishte tërhequr megjithatë nga procedura. Në këto raporte, këshillat e fakulteteve propozojnë kandidatët meritorë të konkursit që të avancohen.
“I dyshuari (Arben Hajrullahu) në vend që të tërhiqet nga procedura e përlyer fund e krye më konflikt të interesit – si vepër penale dhe shkelje e rëndë disiplinore – ka heshtur dhe ka lejuar që votimi në Senat të finalizojë marrjen e thirrjes së tij akademike ‘profesor i rregullt’.” – ishte shprehur Hasani.
E, sipas Hasanit, Hajrullahu në të gjitha fazat e sipërpërmendura “ka marrë pjesë dhe ka votuar për vetveten, me qëllim të avancimit të tij në thirrjen e profesorit të rregullt!”.
“Në fakt, ai ka marrë pjesë, ka udhëhequr dhe ka votuar edhe në Katedrën/Degën e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik, duke ndikuar në formimin e Komisionit të tij recensues, në përcaktimin e numrit të orëve dhe në aspekte të tjera të procesit që më pas kanë kaluar për miratim në Këshillin e Fakultetit Filozofik dhe tutje në Senatin e UP – siç u përshkrua më sipër. Për këtë ekzistojnë provat në Arkivin e Fakultetit Filozofik, të nënshkruara nga vetë i dyshuari Hajrullahu.” – kishte shtuar Hasani në denoncimin e tij në Këshill të Etikës kundër Arben Hajrullahut.
Para se t’ia propozojë masat disiplinore që Këshilli i Etikës i UP-së t’i rekomandojë ndaj Hajrullahut, Hasani kishte kërkuar diçka shtesë – që të zhvillohet një hetim i pavarur nga Këshilli i Etikës në këtë rast.
“Arben Hajrullahu aktualisht mban postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Akti minimal moral që do të duhej të ndërmerrej nga ana e tij është dorëheqja e menjëhershme nga kjo pozitë. Ky hap do t’i mundësonte Këshillit të Etikës të zhvillojë një hetim të pavarur dhe të pandikuar – duke garantuar transparencën dhe integritetin në trajtimin e kësaj çështjeje.” – kishte theksuar Hasani.
Arben Hajrullahu kishte deklaruar në Këshill të Etikës se “pohimet shpifëse dhe çorientuese” të Hasanit ndaj tij kanë një traditë të gjatë kohore. Ai ka kujtuar shkurtin e vitit 2017, kur Hasani sipas tij në një intervistë kishte pohuar se Hajrullahu “ka gënjyer” kur ishte zgjedhur më 2006 profesor në UP, se ka të përfunduara studimet bachelor.
Hajrullahu e kishte mohuar se ka qenë prezent në mbledhjen e Senatit të UP-së më 05.09.2022, në të cilën ishte votuar avancimi i tij në profesor i rregullt. KALLXO.com ka siguruar ekstraktin e procesverbalit të kësaj mbledhjeje të Senatit të UP-së, në të cilën nuk shkruan se ka qenë pjesë e mbledhjes Hajrullahu.
Në ekstrakt të procesverbalit të mbledhjes së Senatit të UP-së më 05.09.2022 thuhet se “Senati njëzëri mori Vendim që kandidati Arben Hajrullahu të avancohet në thirrjen profesor i rregullt”.
“Siç dëshmohet në ekstraktin e procesverbalit të mbledhjes së Senatit, më 05.09.2022, unë para se të marr detyrën e rektorit të UP-së në tetor 2024, as në mbledhjen e Senatit, më 05.09.2022 e asnjëherë tjetër, në asnjë lloj cilësie, nuk kam marrë pjesë apo qenë prezent, as fizikisht e as virtualisht në ndonjë mbledhje të Senatit të UP-së.” – kishte deklaruar Hajrullahu me shkrim për Këshillin e Etikës.
Në një denoncim të përbashkët, Hasani kishte ngritur pretendimet e tij edhe ndaj Iset Morinës, i cili sa ishte kryesues i ish-Këshillit të Etikës të UP-së e kishte trajtuar një denoncim që kishte qenë kundër Hasanit dhe Hasani ka pretenduar se edhe pse kishte pasur konflikt interesi me të, Morina kishte marrë vendim që të merrte pjesë dhe të votonte për rekomandimin e masave ndaj Hasanit.
Ndërsa, denoncimin e Hasanit ndaj Iset Morinës, profesorit në Fakultetin Juridik në UP, Këshilli i Etikës e ka shpallur të pabazuar, pavarësisht se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte konstatuar më 17.12.2024, se ka pasur konflikt interesi mes Hasanit e Morinës.