Ukraina: "Nuk dëshirojmë votë simpatie për anëtarësimin në BE"

Ukraina do t’i ketë përfunduar reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE brenda dy viteve, ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase Olha Stefanishyna, duke këmbëngulur se vendi i saj nuk dëshiron një votim simpatie në një samit të afërt të liderëve për të vendosur mbi zgjerimin e bllokut të BE-së.

Një përmbledhje e publikuar të mërkurën pritet ta zbulojë qëndrimin e Komisionit Europian nëse negociatat duhet të hapen apo jo me ato vende që kanë avancuar më së shumti në reformat e tyre të pranimit.

“Afati kohor dyvjeçar për të cilin po flasim është vetëm për t’u siguruar që ne jemi të përgatitur për anëtarësim në aspektin e përafrimit ligjor, të standardeve dhe rregullave dhe detyrimeve të direktivave”- ka deklaruar ajo.

“Të gjithë janë të bashkuar, nga presidenti tek çdo guvernator lokal, për dy qëllime: të fitojmë luftën dhe të sigurohemi që të nesërmen pas fitores të mos fillojmë procesin e anëtarësimit në BE, por ta mbyllim atë”- ka thënë Stefanishyna e cila ka përgjegjësi specifike për integrimin evropian dhe euroatlantik të Ukrainës.

Ekziston një pranim i gjerë në Bruksel se agimet e vazhdueshme të rreme e kanë bërë të vështirë për politikanët që ta mbajnë gjallë ëndrrën e BE-së me elektoratin e tyre duke e hapur rrezikun e përhapjes së ndikimit të Rusisë në Europën Lindore.

“Përpara se Ukraina të aplikonte për anëtarësim në BE, zgjerimi ishte një temë tabu brenda BE-së. Nuk kishte asnjë mbështetje të madhe nga njerëzit. Në Ballkan kishte shumë kompleksitete. Ukraina e ka ringjallur diskutimin”- thotë Stefanishyna, duke përshkruar ndikimin e luftës në qëndrimin e ndryshuar të BE-së ndaj zgjerimit.

Është e tillë urgjenca që i bashkëngjitet zgjerimit që Gjermania javën e kaluar sugjeroi se integrimi i Ukrainës dhe të tjerëve në BE mund të përshpejtohet me përfitimet e anëtarësimit të dhëna shumë kohë përpara anëtarësimit me disa qasje në tregun unik europian dhe status vëzhguesi në samitet e lidershipit.

Propozimet u mirëpritën nga Maqedonia e Veriut, e cila ka pritur gati 20 vjet për anëtarësim, dhe u ankua se ishte e vështirë të mbahej gjallë ëndrra mes elektoratit nëse BE-ja vazhdon të ndryshojë shtyllat.

Ministri i Jashtëm i saj, Bujar Osmani ka deklaruar se i kishte përjetuar të gjitha “të metat” e procesit të anëtarësimit, duke e identifikuar problemin si “fokusimin e BE-së në vetë anëtarësimin formal”. Propozimet e Gjermanisë mund ta korrigjojnë këtë, ka shtuar Osmani.

Ukraina u shtua verën e kaluar në radhën e kandidatëve zyrtarë me rekomandime për t’i dhënë përparësi shtatë grupeve të reformave që përqendrohen në qeverisjen gjyqësore, legjislacionin kundër korrupsionit dhe anti-oligarkizimin mes tyre.

Stefanishyna i ka adresuar gjithashtu shqetësimet për ndikimin shtrembërues që një vend me madhësinë e tregtisë bujqësore të Ukrainës mund të ketë në tregun e vetëm të BE-së.

Në një rishikim gjysmë-vjeçar, u tha nga komisioneri evropian për fqinjësinë dhe zgjerimin, Olivér Várhelyi i BE-së, se kishte përfunduar dy nga ato hapa për të kënaqur BE-në, me përparim të mirë në grupimet e tjera dhe “disa përparime” në katër temat e mbetura.

Një përmbledhje e plotë e vitit do të publikohet të mërkurën përpara samitit të ardhshëm të kryeministrave në dhjetor.

Stefanishyna ka thënë se është bërë përparim i madh në reformat që nga qershori dhe ishte gjithashtu e përgatitur për argumente kundër një pranimi të shpejtë, duke përfshirë shtrembërimin e tregut të punës dhe bujqësisë.

Në lidhje me lëvizjen e lirë, ajo vuri në dukje se rreth 9 milionë ukrainas të cilët kanë ikur në BE pas luftës, të gjithë kanë të drejtë të punojnë ndërsa një marrëveshje e përkohshme e liberalizimit të tregtisë me BE-në i ka dhënë asaj qasje pa tarifa në tregun unik në një sërë mallrash bujqësore./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala